Pas tensioneve të djeshme në Kuvend për propozimin e mazhorancës në lidhje me anulimin e gjobave të vendosura për ndërtimet pa leje në zonat rurale, është zbardhur ditën e sotme drafti i propozimit, ku theksohet se anulimi kërkohet për masat e paekzekutuara për periudhat që nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024.
Drafti:
“PËR ANULLIMIN E MASAVE ADIMINISTRATIVE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozim të një grupi deputetësh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,
VENDOSI:
Neni 1
Të anullojë të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale për sa i takon masave administrative vendosur nga Inspektoriatet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoriatit Qendror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të
gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Në zbatim të nenit 1 të këtij ligji përfitojnë:
1. Të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.
2. Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.
3. Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë.
Neni 3
Ngarkohen me zbatimin e këtij ligji Këshilli i Ministrave, organet e qeverisjes vendore, të gjitha agjensitë dhe inspektoriatet në varësi të tyre.
Procedurat e zbatimit të anullimit së masave administrative të papaguara miratohen nga Këshilli i Ministrave me vendim të posaçëm brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij
ligji.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 dite pas botimi në “Fletoren zyrtare”.