Vendosni fjalën kyçe....

SPAK sekuestron telefonat e bashkëshortes dhe vëllait të Veliajt


Pesë agjentë të BKH-së shkuan mëngjesin e sotëm në banesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj te Kodra e Diellit.

Në fillim informacionet mbi arsyen e vajtjes së agjentëve të BKH-së ishin kontradiktore por tani dukt se zyrtarisht gjërat janë më të qarta mbi atë që ka ndodhur.

Në raportimet e para thuhej se agjentët kishin kryer kontroll në banesën e Veliajt por në fakt bëhet fjalë për sekuestrimin e telefonit të bashkëshortes së Veliajt Ajola Xoxa dhe të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj. Telefoni i Xoxës është sekuestruar në kuadër të hetimit pasuror nga prokurori Olsi Dado.

Ndërkohë nuk ka pasur asnjë kontroll në banesën e Veliajt.

Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë pritur fillimisht poshtë deri sa u është hapur dera e shtëpisë.

Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Hamburg sot e kjo mendohet të ketë qenë edhe arsyeja pse u vonua hapja e derës së shtëpisë.

Disa agjentë të BKH-së kanë shkuar paraditen e sotme dhe në selinë e galerisë “Harabel” që ndodhet në zonën e ish-bllokut në Tiranë.

Ata kanë ushtruar kontrolle dhe kanë sekuestruar dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij. Xoxa është bashkëthemeluese e galerisë “Harabel”.

SPAK ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me sekuestrimin e telefonit të bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Ajola Xoxa. Në njoftim thuhet se veprimet po kryhen lidhur me një procedim penal që është në fazat paraprake.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment. Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet në reagimin e SPAK.