Fitimet e tregut të sigurimeve për 9-mujorin e vitit 2024 kanë pësuar rënie nga shifrat rekord të vitit të kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se fitimi i tregut të sigurimeve në vend arriti vlerën e afërsisht dy miliardë lekëve ose rreth 20.2 milionë eurove. Fitimi neto i tregut ka rënë me 23.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fitimet u tkurrën njëkohësisht në tregun e sigurimit të Jetës, ashtu edhe në atë të Jo-Jetës.
Sipas AMF-së, fitimi neto i kompanive në tregun më të madh, atë të Jo-Jetës, ra në 1.77 miliardë lekë, 23% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndikimin kryesor në rënien e fitimeve e ka dhënë rënia e rezultatit nga investimet. Për 9-mujorin, rezultati neto nga investimet zbriti në 426 milionë lekë, në rënie me 62% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, rezultati teknik (rezultati i lidhur me aktivitetin sigurues) shënoi një rritje të vogël, me 3.2% krahasuar me një vit më parë.
Primet e fituara neto, që përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të siguruesve, janë rritur me 8.2% krahasuar me 9-mujorin 2023.
Por, nga ana tjetër, edhe dëmet neto të paguara janë rritur me 21% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, shpenzimet e veprimtarisë kanë shënuar një rritje të lehtë me 2% krahasuar 9-mujorin e vitit të kaluar.
Ndërsa në tregun e sigurimit të jetës kompanitë raportuan fitime neto në vlerën e 212 milionë lekëve, shifër kjo 26% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e fitimit në tregun e sigurimit të Jetës ka ardhur kryesisht nga rritja e shpenzimeve neto për dëme të paguara. Shpenzimet për dëme u rritën me 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga ana tjetër, edhe për 2024 kompanitë kanë vazhduar të rrisin shpenzimet operative, por me ritmet disi më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Shpenzimet operative neto u rritën me 6% dhe vazhdojnë të jenë në përmasa shumë të mëdha krahasuar me vlerën e dëmeve të paguara.
Në 9 muaj, shpenzimet operative arritën në 848 milionë lekë, katër herë më shumë në raport me shpenzimet neto për dëme. Ndërsa primet e fituara neto shënuan një rritje modeste me 3%, kryesisht falë rritjes së volumit të tregut dhe primeve të shkruara bruto.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu i sigurimeve për 9-mujorin 2024 arriti një vlerë të primeve të shkruara bruto prej 18.3 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 7.4%. Një vit më parë, në fund të 9-mujorit rritja kishte qenë afërsisht 9.9%.
Vlerësohet se pjesërisht ngadalësimi i tregut i detyrohet efektit të kursit të këmbimit dhe faktit që një pjesë e konsiderueshme e produkteve të sigurimit shiten në euro./E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor