Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Shteti nuk ndërtohet me gjoba dhe dhunë, por me drejtësi dhe barazi për të gjithë


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër qasjen e qeverisë ndaj qytetarëve përmes gjobave dhe ndëshkimeve të larta.

Në një reagim në rrjetet sociale, ajo dha mesazhin se shteti nuk mund të ndërtohet me dhunë siç ka vepruar PS në këto 11 vite, polici apo forcë, por përmes zbatimit të drejtë të ligjit dhe krijimit të një sistemi të ndershëm për të gjithë.

“ Filozofia e tyre për të bërë shtetin është përmes gjobave të larta, të cilat shpesh janë jashtëzakonisht disproporcionale me të ardhurat e qytetarëve. Nga ligji për mbetjet, te ai për të dhënat personale, mjedisin, turizmin dhe sigurinë ushqimore, gjithçka bazohet te ndëshkimi i të dobëtëve, ndërsa të fortët shpëtojnë pa pasoja, ” tha Tabaku për shumicën socialiste që është akuzuar se ka përdorur shtetin policor ndaj shqiptarëve.

Duke marrë shkasë nga amnisti e debatuar por që ende nuk është një propozim ligjor nga mazhoranca socialiste, Tabaku solli në vëmendje se si socialistët amnistuan pa gjoba ndërtimet pa leje në qendër të Tiranës, duke përmendur shembuj të pallateve shumëkatëshe që janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme pa u ndëshkuar.

 “ Ata janë të fortë me të dobëtit dhe të dobët me të fortët. Nuk është kjo mënyra për të ndërtuar një shtet. Shteti ndërtohet me drejtësi, duke i dhënë çdo qytetari hapësirën që meriton, dhe jo me kërbaç! ”

Tabaku theksoi se ndërsa propozojnë amnisti për gjoba, për efekt elektoral, qeveria socialiste propozon edhe ligje me gjoba stratosferike për bizneset.

Sipas Tabakut kjo shumicë socialiste është e dobët me të fortët dhe e fortë me të dobtit.

 

Statusi:

Shteti nuk bëhet me gjoba, shteti nuk ndërtohet me dhunë, polici apo forcë. Ky ka qenë një qëndrim i qartë dhe i vazhdueshëm gjatë këtyre 11 viteve të fundit. Për këtë arsye, kemi qenë kundër çdo gjobe në përmasa jashtëzakonisht të larta, sidomos në raport me të ardhurat e qytetarëve. Për çdo ligj që vjen në Parlament, ata vendosin gjoba shumë të larta: që nga ligji i mbetjeve, te ligji për të dhënat personale, ligji për mjedisin, turizmin, ndërtimet pa leje e deri te siguria ushqimore. Kjo ka qenë filozofia e tyre për të bërë shtetin.

Por tani, pas 11 vitesh, ata e kanë kuptuar që shqiptarët janë aq të varfër, sa nuk mund t’i paguajnë këto gjoba, prandaj po i falin. Pas 11 vitesh kuptuan se shtetbërja e tyre me dhunë dhe polici ka dëmtuar një shtresë shumë të varfër të shoqërisë, një shtresë që sot është në kufijtë e mbijetesës, një shtresë që fatkeqësisht është shkelur me këmbë. Ndërkohë, paligjshmëria ka zënë rrënjë, madje në qendër të Tiranës, me pallate shtatëkatëshe pa leje, dhjetëkatëshe pa leje, me ndërtime stratosferike pa leje, për të cilat kanë mbyllur sytë. I kanë hapur sytë vetëm për ato raste që iu leverdis, sepse ata sillen të fortë me të dobëtit dhe të dobët me të fortët, me ata që kanë para dhe pushtet!

Nuk është kjo mënyra si ndërtohet shteti. Shteti ndërtohet me një sistem të drejtë, ku çdo qytetari i garantohet hapësira e tij duke respektuar ligjin, jo me forcë, jo me dhunë, jo me kërbaç!