Katedralja e njohur Notre Dame në Paris do të rihapë dyert e saj këtë të shtunë, për herë të parë që nga zjarri shkatërrues që e goditi në vitin 2019.
Restaurimi i saj, që ka zgjatur pesë vjet, është një arritje e jashtëzakonshme për një monument që iu deshën gati dy shekuj për t’u ndërtuar.
Ky moment është parë si një triumf për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili mbrojti afatin e ngushtë për përfundimin e punimeve.
Për këtë ngjarje historike, shumë liderë botërorë dhe personalitete do të mblidhen në Notre Dame.
Princi William i Britanisë, presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy do të jenë mes 1500 të ftuarve që do të festojnë rihapjen e katedrales. Ceremonia do të zhvillohet brenda katedrales për shkak të erërave të forta të parashikuara, në vend që të mbahej në oborrin e saj, siç ishte planifikuar më parë.
Rektori i Notre Dame, Olivier Ribadeau Dumas, e ka cilësuar katedralen si një “simbol uniteti” dhe një shenjë shprese, duke nënvizuar se ajo ka arritur të ringrihet pas një tragjedie. Gjatë ceremonisë, do të bëhet rihapja simbolike e dyerve të saj, dhe organi i madh i katedrales, që ishte heshtur pas zjarrit, do të rikthehet në funksion, duke shoqëruar psalmet dhe himnet e adhurimit.
Rihapja e Notre Dame vjen në një kohë të pasigurisë dhe tensioneve globale, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizat në Lindjen e Mesme, duke u shndërruar në një simbol të shpresës dhe unitetit për gjithë botën./AbcNews