Vendosni fjalën kyçe....

La Repubblica i bën jehonë investigimit të Piranjave – Si zbaviten policët e Melonit në Shqipëri


Gazeta italiane “La Repubblica” ka publikuar një investigim të bërë nga “Piranjat”, ku policët italianë në Shqipëri shfrytëzojnë paratë e shtetit italian për aktivitete turistike.

 Ata kalojnë ditët në sauna, ekskursione në Shkodër, Durrës dhe Tiranë, dhe shëtitje buzë detit, duke thënë se gjithçka paguhet nga qeveria italiane dhe Bashkimi Evropian.

Edhe pse qendrat për emigrantët mbeten bosh, ata pranojnë se kalojnë kohën duke shijuar përfitime luksoze, ndërkohë që duhet të monitorojnë qendrat e përpunimit.

Shkrimi i plotë

Nga Alesia Candito/ La Repubblica

Sauna çdo ditë “sepse këtu gjithçka është falas,” ekskursione turistike në Shkodër, Durrës dhe Tiranë, shëtitje të gjata, mbrëmje në diskotekë.

Ky është rrëfimi mbi “misionin” në Shqipëri, që vjen nga vetë zëri i agjentëve të forcave të rendit të vendosur në Shëngjin, qyteti shqiptar ku ndodhet një nga dy qendrat e ngritura nga qeveria Meloni për të transferuar një pjesë të emigrantëve të shpëtuar përpara brigjeve italiane.

Një operacion që është tentuar dy herë dhe ka dështuar dy herë, sipas gjyqtarëve të Gjykatës së Romës, për shkak se rregulloret evropiane nuk e lejojnë.

Rezultati: Hotspoti në Shëngjin dhe qendra e ndalimit në Gjader mbetën bosh, por forcat e rendit – të akomoduara, mes polemikave, në hotelin luksoz Rafaelo – mbetën aty.

Gjatë javëve të fundit, kontingjenti prej 220 policësh, karabinierësh dhe pjesëtarësh të Guardia di Finanza, të gjithë të paguar me trajtim të rregullt ndërkombëtar, që përfshin 100 euro në ditë plus ushqim dhe akomodim, u përgjysmua.

Por ende në qytetin shqiptar qëndrojnë rreth 100 uniforma, të cilat, siç kanë zbuluar gazetarët e një televizioni shqiptar, janë “duke bërë turizëm”.

Programi shqiptar “Piranjat” arriti të marrë dëshmi nga vetë agjentët, të cilët, përballë dy gazetareve me kamera të fshehta, nuk fshehën asgjë.

“Ne erdhëm këtu për punë, por na paguajnë për të bërë turistin,” thonë ata ndërsa “shoqërojnë” dy vajzat, fillimisht në supermarket për të blerë cigare, e më pas për një shëtitje buzë detit.

“U bë një marrëveshje për të sjellë këtu emigrantët. Ne duhet të monitorojmë qendrat, por ato janë bosh. Humbje parash,” thekson njëri prej tyre.

Kur pyeten se çfarë bëjnë në Shqipëri, një tjetër përgjigjet: “Dje ishim në Durrës, shumë e bukur. Pastaj në Tiranë, dy ditë në Shkodër. Gjithçka e paguan qeveria italiane.”

Më tej, ata përpiqen t’i ftojnë vajzat në një mbrëmje në diskotekë ose në një drekë në dhomë, sepse restoranti i rezervuar për forcat italiane është jashtë kufijve për të tjerët. “Nëse i dashuri yt është xheloz, më mirë kujdes,” thotë me humor njëri prej tyre.

“All inclusive” në një resort luksoz

“Nuk është një rast i izoluar,” konfirmon një grup tjetër agjentësh të takuar në qendrën spa të resortit, që përfshin sauna, banjë turke, pishinë, palestër dhe sallë relaksi. “Në Shqipëri është praktikë e zakonshme.”

“Në këtë hotel janë të gjithë policët italianë, për ta trajtimi është ‘all inclusive’,” shpjegon një punonjëse për gazetaret. Dhe për të provuar këtë mjafton një seancë në saunë: aty ndodhet një tjetër grup uniformash.

“Jemi këtu për punë. Policia,” thotë njëri prej tyre, që përshkruan përfitimet e saunës, duke u shfaqur si ekspert në “eliminimin e toksinave nga trupi.”

Ai shton se në resort ndodhen “karabinierë, policë dhe pjesëtarë të Guardia di Finanza. Nuk paguajmë ne, paguan shteti italian dhe Bashkimi Evropian.”

Ndërsa qendrat e krijuara për emigrantët që vijnë me varka në Itali janë bosh, agjenti tregon se shkojnë çdo ditë në sauna “sepse për ne është falas.”

Për pjesën tjetër të ditës, që mbetet e gjatë dhe e zbrazët, ai thotë: “Dua të organizohem për të vizituar qytete të bukura këtu afër. Gjithçka është falas.”