Teksa në Maqedoninë e Veriut vijon debati për Gjuhën Shqipe, studiuesit shqiptarë gjykojnë se nuk ka kthim pas sa i takon marrëveshjes mes dy vendeve për gjuhët, pasditen e sotme ka reaguar zëvendës kryeministri i RMV Izet Mexhiti.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, ai tha se për këtë çështje, janë në të njëjtën anë me të gjithë shqiptarët dhe se askush të mos ketë as dilemën më të vogël. Ai shton më tej se të drejtat e fituara nuk mund të suprimohen dhe as të abrogohen.
“Ju bëj thirrje të gjithëve për qetësi dhe gjakftohtësi. Qeveria ka punuar dhe po punon për të tejkaluar sfidat dhe për ulje të tensioneve. Për çështjen e gjuhës shqipe ne jemi në të njëjtën anë me të gjithë shqiptarët. Askush të mos ketë as dilemën më të vogël lidhur me këtë! Të drejtat e fituara nuk mund të suprimohen dhe as të abrogohen. Për këtë jemi garantues ne, përfaqësuesit e popullit në institucione.
Si Qeveri po punojmë në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për problemet e krijuara e të trashëguara dhe për këtë po harmonizojmë veprimet, qëndrimet dhe orientimet me të gjithë aktorët dhe faktorët relevantë shoqërorë.
Qeveria është në veprim dhe koordinim të përhershëm. Bashkë me Parlamentin dhe aktorët tjerë shoqërorë jemi duke ndjekur me vëmendje çdo veprim, çdo qëndrim publik, çdo aksion e reaksion. Si institucione të përgjegjshme nuk do të lejojmë abrogimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe as rrënimin e frymës së bashkëjetesës që e garanton Marrëveshja e Ohrit.
I përkrahim të gjitha iniciativat publike, individuale ose kolektive të cilat për qëllim kryesor kanë ruajtjen por edhe avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Betejat e përditshme politike dhe interesat e partive politike janë më pak të rëndësishme se gjuha shqipe. Ju bëj thirrje edhe njëherë të gjithëve që të ruajmë qetësinë dhe gjakftohtësinë”, ka shkruar ai.