Vendosni fjalën kyçe....

“Kemi humbur 43 mijë ushtarë, Rusia 198 mijë” – Zelensky


Presidenti ukrainas Zelensky ka thënë se ushtria e tij ka humbur 43 mijë trupa që nga nisja e sulmit rus në shkurt 2022. Numri u zbulua në një deklaratë në X të dielën, disa orë pasi Trump pretendoi se Ukraina kishte “humbur” 400,000 ushtarë.

Zelenskiy tha se kishte pasur 370,000 raste të “ndihmës mjekësore për të plagosurit” në fushën e betejës, duke përfshirë lëndime të lehta ose të përsëritura. Rreth gjysma e ushtarëve ukrainas të plagosur në luftë janë rikthyer më vonë në shërbim, tha ai.

Në një postim të Truth Social të dielën, mëngjesin pas një takimi në Paris me Zelenskyn dhe presidentin francez Macron, Trump dha një vlerësim të viktimave si për trupat ukrainase ashtu edhe për ato ruse në luftën pothuajse trevjeçare.

“Afro 600,000 ushtarë ruse janë vrarë ose plagosur”, tha Trump. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk publikon vlerësimet e viktimave.

Trump bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm”, duke shtuar se Zelenskiy “do donte të bënte një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës. Ndërsa qeveria e Ukrainës nuk e mohon se kërkon paqe, ajo ka theksuar në mënyrë të përsëritur domosdoshmërinë e marrjes së garancive kuptimplota nga aleatët e saj, të udhëhequr nga SHBA.

“Kur flasim për një paqe efektive me Rusinë, para së gjithash duhet të flasim për garanci efektive të paqes”, tha Zelenskiy në postimin X të së dielës.

Lufta “nuk mund të përfundojë thjesht me një copë letër dhe disa nënshkrime,” tha Zelenskiy.

“Një armëpushim pa garanci mund të rindizet në çdo moment”.

Vlerësimi i përditësuar nga Zelenskiy nënkupton se rreth 12,000 ushtarë kanë vdekur që nga shkurti i këtij viti, kur udhëheqësi i Ukrainës vlerësoi zyrtarisht numrin e vdekjeve në 31,000.

“Të dhënat e përditësuara për humbjet ruse tregojnë mbi 750,000 viktima, duke përfshirë 198,000 të vrarë dhe më shumë se 550,000 të plagosur. Njerëzit tanë po mbrojnë shtëpitë e tyre me çmimin e jetës së tyre dhe çdo jetë e ushtarëve tanë dhe e civilëve tanë është e çmuar për ne.” – shtoi Zelensky

Në një intervistë me Kyodo News të Japonisë, botuar më 1 dhjetor, Zelensky mohoi raportet se deri në 80,000 ushtarë ukrainas ishin vrarë. Wall Street Journal raportoi shifrën në shtator, duke cituar burime që nuk i identifikoi.