1.5 kg kokainë është kapur gjatë një operacioni antidrogë në Tiranë.
Në pranga kanë rënë Xhenjo Manushi dhe Klajdi Serjani, nipi i Pajtim Serjanit. Kokainë e kapur ka vlerë në treg rreth 270 mijë euro.
Dy të rinjtë u kapën pranë Kthesës së Kamzës, pranë terminalit të autobusëve.
Manushi e Serjani ishin nën vëzhgim prej më shumë se gjashtë muajsh nga antidroga. Ata e shpërndanin kokainën në zonën e ish-Parkut por dhe në zona të tjera të Tiranës.
Të dy kanë qenë në të njëjtën makinë luksoze dhe sapo kanë ndaluar kanë dalë me çantën me drogë.
Njoftimi
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca policore, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fam Fanz”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit Klajdi Serjani , 24 vjeç, dhe E. M., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Kastriotët”, automjetin me drejtues shtetasin Klajdi Serjani , dhe pasagjer shtetasin E. M. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Klajdi Serjani , shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”