Vendosni fjalën kyçe....

Kredia në euro po i rikthehet rritjes


Kredia në euro i është kthyer rritjes në 2024. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor kredia në monedhën europiane arriti vlerën e barasvlershme të 325.8 miliardë lekëve.

Kredia në euro është rritur me 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, rritja e paraqitur në lekë është tkurrur ndjeshëm nga efekti i kursit të këmbimit. Këtë vit leku ka vijuar të forcohet ndaj euros. E zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit, rritja vjetore e portofolit të kredisë në euro do të ishte afërsisht 13%.

Rritja e kredisë në euro këtë vit mund të shpjegohet me disa faktorë. Së pari, kreditimi i ekonomisë në të gjitha monedhat e ka shpejtuar ndjeshëm rritjen në 2024. Statistikat tregojnë se rritja vjetore e portofolit të kredisë për ekonominë ka arritur nivelin më të larta në lart në më shumë se 15 vjet. Rritja me ritme relativisht të larta të ekonomisë dhe gjendja e mirë e bilanceve të sektorit bankar kanë mbështetur përshpejtimin e kreditimit të sektorit privat.

Një faktor që e ka ndikuar në mënyrë më specifike kreditimin në euro është rimëkëmbja e kreditimit të biznesit. Kredia për biznesin këtë vit po rritet me ritme të shpejta, veçanërisht në segmentin që lidhet me financimin e blerjes së pasurive të paluajtshme. Duke qenë se kërkesa për kredinë në euro në pjesën më të madhe vjen nga bizneset, rritja e kreditimit në këtë segment të tregut ka ndikuar edhe në rritjen e kredisë në euro.

Gjendja e likuiditetit në euro e sektorit bankar është mjaft e mirë, e mbështetur nga rritja me ritme dyshifrore e depozitave në monedhën europiane gjatë viteve të fundit. Ky faktor e ndikon pozitivisht edhe ofertën për kredi në euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia në euro për bizneset është rritur me 13% me bazë vjetore. Nëse shtojmë edhe efektin e kursit të këmbimit, rritja e kredisë për biznesin në monedhën europiane do të shkonte në rreth 19%.

Një faktor tjetër që ka ndikuar pozitivisht kërkesën për kredi në euro është edhe rënia e normave të interesit. Duke filluar nga mesi i vitit 2022, normat e interesit të euros kishin filluar një rritje të shpejtë, duke ndjekur linjën e politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane (ECB). Kjo solli një frenim të fortë të kreditimit në euro në 2023.

Në fund të vitit 2023, portofoli i kredisë në euro ishte në rënie në 6.7%, megjithëse në një masë të madhe rënia u përcaktua edhe nga efekti i kursit të këmbimit.

Por, rritja e normave të interesit arriti pikun në shtator 2023, ndërsa që nga mesi i këtij viti ECB-ja ka nisur uljen e tyre. Kjo po reflektohet edhe në normat e interesit në tregje. Treguesi kryesor benchmark, Euribori, ka prekur nivelet më të ulëta në dy vitet e fundit. Në këto kushte, kredia në monedhën europiane po bëhet përsëri e leverdishme./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor