Një luftëtar anti-qeveritar feston në sheshin Umajad në Damask më 8 dhjetor 2024. Festimet shpërthyen rreth Sirisë dhe turmat plaçkitën shtëpinë luksoze të Presidentit Bashar al-Assad më 8 dhjetor pasi rebelët e udhëhequr nga islamistët hynë në Damask dhe deklaruan se ai kishte ikur nga vendi, në një fund spektakolar të pesë dekadave të sundimit të partisë Baath. (Foto nga Bakr AL KASSEM / AFP)
Nga Adam Lucente
Siria kontrollohet kryesisht nga grupet rebele dhe forcat e udhëhequra nga kurdët pas përmbysjes së presidentit Bashar al-Assad të dielën. Një tranzicion që përfshin qeverinë e Assadit po ndodh në vend, megjithëse mbeten pyetje se kush do e sundojë vendin dhe statusin e forcave të huaja, duke përfshirë edhe atë të Rusisë.
Grupet rebele siriane hynë në Damask të shtunën, duke marrë qytetin pa rezistencë të konsiderueshme nga forcat e Assadit. Fitorja mbylli një ofensivë monumentale rebele që filloi në fund të muajit të kaluar, duke çuar në humbjen e qeverisë në Aleppo, Hama dhe qytete të tjera të mëdha.
Thuhet se Assad u largua nga qyteti disa orë përpara se rebelët të hynin, me vendndodhjen e tij që është tashmë Moska, ku ai kapërfituar azil.
Ofensiva rebele u drejtua nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham, me mbështetje shtesë nga Ushtria Kombëtare Siriane, kjo e fundit e mbështetur nga Turqia, luftëtarët lokalë në jug dhe të tjerë. Më poshtë janë grupet kryesore që veprojnë në Sirinë e pas Assadit.
HTS
HTS-ja udhëhoqi rebelët në Aleppo përpara se të pushtonte Hamën dhe në fund Damaskun. Grupi udhëhiqet nga Abu Mohammed al-Golani, emri i luftëtarit të Ahmed Hussein al-Shar’a, një luftëtar që luftoi forcat amerikane në Irak pas pushtimit të vitit 2003. Golani vizitoi Damaskun të dielën pas fitores së rebelëve dhe rrëzimit të Assadit.
Përpara përparimit të rebelëve, bastioni i HTS-së ishte provinca veriperëndimore e Idlibit, ku ajo qeveriste nëpërmjet Qeverisë së saj të Shpëtimit. Qeveria u formua në vitin 2017 pas krijimit të HTS-së nëpërmjet bashkimit të disa grupeve të armatosura islamike. Ky bashkim pasoi paraardhësin e HTS, Jabhat Fatah al-Sham, që u nda nga al-Kaeda në 2016. HTS-ja konsiderohet një organizatë terroriste nga SHBA, OKB, Turqia dhe shumë vende të tjera.
Grupet e mbështetura nga Turqia
Turqia mbështet grupet rebele brenda SNA-së. Grupet kontrollojnë pjesë të Sirisë veriore afër kufirit turk, duke përfshirë Afrinin, Sulukun dhe Ras al-Ain. SNA-ja i kapi këto zona në 2018 dhe 2019 duke ua rrëmbyer Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët.
SDF
SDF-jaa është forca ushtarake për Administratën Autonome të Sirisë Veriore dhe Lindore. Njësitë e Mbrojtjes së Popullit, një grup i armatosur kurd, është forca dominuese brenda SDF-së, megjithëse ka edhe luftëtarë nga komunitetet arabe, të krishtera dhe të tjera. SDF-ja kontrollon pjesë të mëdha të Sirisë veriore dhe verilindore, duke përfshirë qytetet Raqqa, Hasakah, kryeqytetin administrativ të Qamishli dhe pjesë të provincës Deir Ezzor.
Turqia e konsideron SDF-në si degën siriane të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, megjithëse SDF-ja e mohon këtë.
Konflikti midis SDF-së dhe SNA-së është në vijim dhe përleshjet ishin ende duke u zhvilluar mbi qytetin e Manbij të dielën. Javën e kaluar, SNA-ja kapi Tell Rifaat në veri të Aleppos duke ia rrëmbyer SDF-së.
Forcat e SDF-së hynë në qytetin e Deir Ezzor të premten. Të dielën, grupet rebele thonë se hynë në qytet.
Krahu politik i SDF shprehu “urimet e tij të përzemërta” për popullin sirian të dielën në lidhje me fundin e regjimit të Assadit dhe u zotua të punojë me grupe të ndryshme në vend.
“Ne do bashkëpunojmë me të gjitha fuqitë kombëtare, kulturore dhe shoqërore siriane duke u angazhuar në dialogun kombëtar dhe duke marrë përgjegjësinë tonë për të krijuar një Siri të re që do të përfshijë të gjithë qytetarët e saj”, tha Këshilli Demokratik Sirian në një deklaratë.
Rusia
Rusia operon një bazë detare në Tartous si dhe një bazë ajrore në Hmeimim, të dyja të vendosura në brigjet e Mesdheut të Sirisë. Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë të dielën se bazat e saj janë në “gatishmëri të lartë”, duke shtuar se “nuk ka asnjë kërcënim serioz për sigurinë e tyre tani për tani”.
Ministria konfirmoi se Assad u largua nga Siria në deklaratë dhe tha se Rusia “ruan kontakte me të gjitha grupet e opozitës siriane”.
Rusia mbështeti forcat e Assadit në luftën kundër grupeve rebele për pjesën më të madhe të luftës civile.
SHBA
Ka rreth 900 trupa amerikane në Sirinë verilindore, që po ndihmojnë SDF-në të luftojnë Shtetin Islamik (ISIS). Shtetet e Bashkuara kanë një bazë shtesë në al-Tanf në jug, e vendosur pranë kufirit jordanez dhe atij irakian.
Presidenti amerikan Joe Biden tha të dielën se trupat amerikane do qëndrojnë në Siri për të “siguruar stabilitet”.
Fraksionet jugore
Grupe të ndryshme të armatosura në Sirinë jugore ndihmuan në largimin e forcave qeveritare nga zona. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar raportoi se “fraksionet lokale” pushtuan pjesën më të madhe të provincës Daraa, si dhe provincën kryesisht Druze Suëayda të premten.
Izraeli
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se ai urdhëroi ushtrinë izraelite të hynte në zonën tampon në Lartësitë Golan për shkak të braktisjes së ushtrisë siriane nga pozicionet e saj. Zona u krijua me një marrëveshje armëpushimi të vitit 1974 midis Izraelit dhe Sirisë.
Izraeli pushtoi pjesën më të madhe të Lartësive Golan pasi e mori atë nga Siria në luftën e vitit 1967 dhe e aneksoi territorin në 1981.
Më vonë të dielën, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee paralajmëroi banorët e Quneitra dhe pjesë të tjera të Sirisë afër kufirit që të qëndronin në shtëpi, duke thënë se veprimtaria atje “po detyronte” ushtrinë të vepronte.
Tranzicioni i pushtetit
Kryeministri sirian Mohammed Ghazi al-Jalali postoi një video të dielën duke thënë se do qëndrojë në Siri dhe se institucionet e saj “i përkasin të gjithë sirianëve”, duke shprehur mbështetjen e tij për një tranzicion të pushtetit.
“Ky vend mund të jetë një vend normal, një vend që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët e tij dhe me botën, pa hyrë në asnjë aleancë rajonale. Por ne do t’ia lëmë këtë çështje çdo drejtuesi të ri që do zgjidhet nga populli sirian”, tha Jalali.
Jalali u emërua kryeministër nga Assad në shtator gjatë një riorganizimi të kabinetit. Ai ka shërbyer më parë si ministër i Komunikimit nga viti 2014 deri në vitin 2016. Jalali është sanksionuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2014 për rolin e tij të dyshuar në shtypjen e civilëve.
Në një deklaratë të së dielës, Golani tha se luftëtarëve u ndalohet hyrja në institucionet publike, duke thënë se ata do qëndrojnë “nën mbikëqyrjen” e Jalalit derisa të “dorëzohen zyrtarisht”.
Videoja u shfaq në mediat sociale të dielën që tregon Jalali duke u shoqëruar nga luftëtarët rebelë për t’u takuar me rebelët.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Al Monitor
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani