Vendosni fjalën kyçe....

Deputetët e PD-së takime në Parlamentin Britanik, Bardhi: Ndamë shqetësimet dhe kërkesat për situatën politike në Shqipëri



Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, së bashku me deputetet Andia Ulliri, Elda Hoti dhe Sorina Koti, zhvilluan një vizitë në Parlamentin Britanik, ku u takuan me deputetët britanikë Martin Vickers dhe Stephen Gethins.

Takimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe adresimin e sfidave kryesore që përballen sot Shqipëria dhe qytetarët e saj. 

Në postimin e tij, Bardhi shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe mbështetjen e deputetëve britanikë, të cilët ai i cilësoi miq të Shqipërisë dhe mbështetës të fuqishëm të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai theksoi se Britania është një shembull i demokracisë nga i cili Shqipëria ka shumë për të mësuar. 

Bardhi shkruan se disa nga çështjet kryesore të diskutuara përfshinin:

Nevojën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes krijimit të një qeverie kujdestare që adreson rekomandimet e OSBE-ODIHR për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje.

Shtetin ligjor dhe një drejtësi të pavarur si shtylla kyçe për zhvillimin e demokracisë. 

Largimet masive të shqiptarëve, veçanërisht të rinjve, për shkak të mungesës së mundësive ekonomike dhe meritokracisë, një problem shqetësues që kërkon zgjidhje të menjëhershme. 

Gazment Bardhi falënderoi deputetin Martin Vickers për mbështetjen që Partia Konservatore Britanike i ka dhënë Partisë Demokratike në miratimin e Rezolutës për Shqipërinë gjatë Mbledhjes Ekzekutive të IDU. Ai e përshkroi rezolutën si një “skanim realist të situatës në Shqipëri” dhe një mbështetje të fortë për kauzat e Partisë Demokratike, përfshirë kërkesën për një qeveri kujdestare, bazuar në modelin e Maqedonisë së Veriut. 

Në fund, Bardhi njoftoi se në fillim të vitit 2025 një delegacion i Partisë Konservatore Britanike pritet të vizitojë Shqipërinë dhe Partinë Demokratike, duke synuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjelltë mes dy partive.

Postimi i plotë:

Kënaqësi që gjatë vizitës në Parlamentin Britanik të takoheshim me deputetët Martin Vickers dhe Stephen Gethins, miq të Shqipërisë dhe me një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Britania është një shëmbull i demokracisë dhe ne kemi shumë për të mësuar prej tyre.

Nevoja për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie kujdestare që adreson rekomandimin kyç të OSBE-ODIHR për ndalimin e përdorimit të shtetit në zgjedhje; shteti ligjor dhe një sistem drejtësie i pavarur; si dhe shqetësimi për largimet masive të shqiptarëve, kryesisht të rinjve për shkak të pamundësive ekonomike dhe meritokracisë, ishin disa nga çështjet që diskutuam.

Deputetin Martin Vickers e falënderova edhe për mbështetjen që Partia jonë simotër e Konservatorëve Britanikë i dha Partisë Demokratike në Mbledhjen Ekzekutive të IDU për miratimin e Rezolutës për Shqipërinë, që ishte një skanim realist i situatës dhe mbështetje e fuqishme për kauzat e PD, përfshirë kërkesën për krijimin e një Qeverie Kujdestare për zgjedhjet sipas modelit të Maqedonisë së Veriut.

Në fillim të vitit të ardhshëm një delegacion i Partisë Konservatore Britanike do të vizitojë Shqipërinë dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë, me qëllim thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit, si dhe mbështetjen e ndërsjelltë mes dy partive tona.