Deputetët e PS dhe PD-së janë përplasur në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë ku u diskutua projektligji për minimumin jetik. Gjatë përplasjes pati replika mes deputetit socialist Ilir Metaj dhe dyshes demokrate Zheni Gjergji e Albana Vokshi.
Metaj akuzoi demokratët për hipokrizi lidhur me minimumin jetik, duke u kujtuar atyre se kur kanë në pushtet kanë bërë shumë pak për të luftuar varfërinë.
Metajt iu kundërpërgjigjën Gjergji e Vokshi me të parën që i ndërpreu fjalën ndërsa socialistja Spahiu kërkoi që Metajt t’i lihej mundësia ë thoshte mendimin e tij.
Replikat
Metaj: Që ju kolegë opozitarë, të flisni për minimumin jetik do duhej të kishit minimumin e integritetit e dinjitetit, të atyre që lanë pas një trashëgimi qeverisëse, ku bënë maksimumin për të siguruar minimum jetik dinjitoz, dhe jo maksimumin për të mbjellë kaos e varfëri në çdo cep të Shqipërisë. Ju që sot kërkoni minimum jetik jeni të njëjtët që kur qeverisnit ndërtuat një realitet me minimum standardesh, minimum mundësish dhe maksimum të pabarazisë sociale. Ju kërkoni të flisni për minimumun jetik, thjesht si një kauz politike, tjetër rast për të treguar qeverinë me gisht. Ju nuk kërkoni minimumin jetik sepse u dhemb për hallet e njerëzve, apo dinjitetin njerëzor. Ju e keni treguar me fakte, sa vlen për ju dinjiteti i shqiptarëve. E bëtë kur i përdorët si kavje laboratori e u ofruat për model ekonomik piramidat financiare, që pastaj njësoj si “black hole” zhdukën jo vetëm ekonominë dhe dinjitetin, por edhe mbi 2000 jetë njerëzish. Për ju dinjiteti i shqiptarëve ka vlerë edhe sa një plumb, njëri nga ata që morën katër jetë njerëzish të pafajshëm në 21 janar. Ose sa një fuçi baroti nga ato të Gërdecit që…
Gjergji: Të ndërpres fjalën, mos fol me cinizëm…
Metaj: Kryetare mos më ndëpri të lutem…
Gjergji: Të ndërpres patjetër se nuk mund të përdorësh cinizëm.
Spahiu: Kryetare lereni të thotë opinionin e tij, ne nuk u ndërpremë kur folët ju…
Gjergji: Jo, jo, ai nuk flet…
Metaj: Kryetare mos më me këto ndërprerjet e bezdishme pa kuptim, si ato mushkonjat gjatë natës. Mushkonjat të paktën kanë vlerë për ekosistemin, ti nuk ke asnjë vlerë këtu..
Vokshi: Do ta bëj postulat këtë të mushkonjave, ça ishte kjo na doli mushkonja me vlerë…
Metaj: Ti duhet të bësh postulat jo vetëm këtë, po çdo fjalë që them unë. Do ngresh nivelin, nëse do i kuptosh sadopak pas analizës…
Gjergji fik përsëri mikrofonin. Ilir Metaj kërkon fjalën me insistim.
Gjergji: Ti nuk e merr më fjalën…
Vokshi: Mos ja jep më jo…