Rënia e regjimit të Asadit ka çuar në veprime ushtarake nga Izraeli, që ka nisur sulme ajrore duke goditur objektiva ushtarake në gjithë Sirinë dhe ka vendosur trupa tokësore brenda dhe përtej një zone tampon të çmilitarizuar, për herë të parë në 50 vjet.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha gjatë një konference të rrallë për shtyp të hënën në mbrëmje se rënia e regjimit të Bashar al-Asad ishte “një kapitull i ri dhe dramatik”.
“Rënia e regjimit sirian është rezultat i drejtpërdrejtë i goditjeve të forta me të cilat kemi goditur Hamasin, Hezbollahun dhe Iranin”, tha ai.
Aksi nuk është zhdukur ende, por siç premtova, ne po ndryshojmë fytyrën e Lindjes së Mesme”.
Zyrtarët izraelitë janë kënaqur me rënien e Asadit, një aleat i vendosur i Iranit që lejoi që vendi i tij të përdoret si një rrugë furnizimi për Hezbollahun në Liban. Por ata gjithashtu kanë frikë se çfarë mund të vijë nga islamistët që qeverisin Sirinë, e cila kufizohet me Izraelin në lartësitë e pushtuara Golan.
Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar u tha gazetarëve të hënën se Izraeli po bombardonte objektet ushtarake siriane që strehonin rezerva armësh kimike dhe raketa me rreze të gjatë veprimi për të parandaluar që ato të binin “në duart e ekstremistëve”.
“Për sa i përket asaj që do ndodhë në të ardhmen, unë nuk jam profet,” tha ai.
“Është e rëndësishme që tani të merren të gjitha hapat e nevojshëm në kontekstin e sigurisë së Izraelit.”
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha të martën se marina shkatërroi flotën detare siriane gjatë natës, duke e përshëndetur atë si “një sukses të madh”. Një fotograf i AFP tregoi shkatërrimin në shkallë të gjerë të anijeve ushtarake në portin detar sirian në Latakia.
Ndërkohë, disa shtete arabe kanë akuzuar Izraelin se kanë shfrytëzuar destabilitetin në Siri për të grabitur tokë.
Liga Arabe, një grupim i kombeve arabe, tha se Izraeli po “përfitonte nga zhvillimet në gjendjen e brendshme në Siri” dhe Egjipti tha se lëvizjet e tij “përbëjnë një shfrytëzim të gjendjes së boshllëkut për të pushtuar më shumë territore siriane. ”
“Përtej zonës tampon”
Nadav Shoshani, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, mohoi se forcat po “përparonin drejt” Damaskut, por pranoi se ato po vepronin në Siri përtej zonës tampon. Ushtria izraelite ka këmbëngulur se “nuk po ndërhyn në ngjarjet e brendshme në Siri”.
Katz tha në një deklaratë të hënën se Izraeli po krijonte një “zonë sigurie pa armë të rënda strategjike dhe infrastrukturë terroriste” në Sirinë jugore, “përtej zonës tampon”.
Voice of the Capital tha të martën se forcat izraelite kishin përparuar deri në Beqaasem, rreth 25 kilometra nga kryeqyteti sirian dhe disa kilometra përtej anës siriane të zonës tampon. CNN nuk mund ta konfirmonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim, por fshati shtrihet në ultësirën siriane të malit Hermon, të cilin forcat izraelite e pushtuan të dielën. Mali Hermon është një pikë e lartë strategjike që ndodhet në kufirin midis Sirisë, Libanit dhe Lartësisë Golan.
Lartësitë Golan
Forcat tokësore izraelite hynë në territorin sirian pasi Netanyahu të dielën urdhëroi ushtrinë të kapte atë “zonë tampon” të demilitarizuar midis Lartësive Golan të pushtuara nga Izraeli dhe pjesës tjetër të Sirisë.
Kjo zonë u krijua në vitin 1974, pasi forcat izraelite pushtuan Lartësitë Golan në vitin 1967. Izraeli e aneksoi territorin në vitin 1981, por ende konsiderohet të jetë territori sirian i pushtuar sipas ligjit ndërkombëtar.
Zyrtarët izraelitë kanë kundërshtuar të japin hollësi se sa larg do përparojnë forcat izraelite, apo sa kohë do qëndrojnë atje.
Danny Dannon, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, i tha Këshillit të Sigurimit në një letër të hënën se vendi i tij ishte “dislokuar përkohësisht në disa pika”. Ai tha se ato ishin “masa të kufizuara dhe të përkohshme për të kundërshtuar çdo kërcënim të mëtejshëm ndaj qytetarëve të saj”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani