Vendosni fjalën kyçe....

Drejtuesit e rinj të Sirisë premtojnë të rikthejnë ekonominë e tregut të lirë


Qeveria e re e Sirisë u ka thënë udhëheqësve të biznesit se do përshtasin një model të tregut të lirë dhe do ta integrojë vendin në ekonominë globale në një ndryshim të madh nga dekadat e kontrollit të korruptuar të shtetit, tha të martën kreu i lobit më të madh të biznesit sirian.

“Do jetë një sistem i tregut të lirë i bazuar në konkurrencë,” i tha Reuters në një intervistë Bassel Hamëi, kreu i Dhomave të Tregtisë së Damaskut, tre ditë pasi forcat rebele rrëzuan presidentin Bashar al-Assad, duke i dhënë fund një autokracie familjare 54-vjeçare.

Biznesmenët e shquar sirianë, të cilët si pjesa më e madhe e kombit po kërkojnë të dhëna se si administrata e re e Sirisë e udhëhequr nga një grup me rrënjë islamike do drejtojë vendin, mirëpritën sinjalet se ekonomia do ishte e hapur për investime jetike për rindërtimin nga shkatërrimi i gjerë pas 13 vjetësh të luftës civile.

Por ata thanë se ende donin të shihnin nëse Hayat Tahrir al-Sham, ish-dega e Al Kaedës, e cila që atëherë i ka mohuar këto lidhje dhe ka udhëhequr ofensivën rebele, do arrijë t’i përmbushë premtimet.

“Njerëzit ende presin të shohin nëse do jetë një shoqëri e hapur apo një shtet islamik,” tha një biznesmen sirian me bazë në Bejrut, i cili foli në kushte anonimiteti.

Hamëi foli një ditë pas takimit me një delegacion qeveritar të kryesuar nga ministri i përkohshëm i ekonomisë i Sirisë, Bassel Abdul Aziz.

Abdul Aziz dhe zëdhënësit e qeverisë nuk mund të kontaktoheshin për koment, me qeverinë e re, kalimtare që u formua vetëm të martën.

Siria ka vendosur prej kohësh kontrolle të rrepta mbi importet dhe eksportet, duke përdorur një sistem të fshehtë që kërkon që tregtarët të marrin leje për importet dhe më pas të depozitojnë monedhën  siriane paund në Bankën Qendrore në këmbim të dollarëve.

Fondet shpesh mbërrinin vetëm ditë ose javë më vonë, duke shkaktuar vonesa dhe duke çuar në mungesën e mallrave bazë.

Tregtimi i pavarur në monedha të huaja më parë mund të çonte dikë në burg, por është bërë praktikë e zakonshme në transaksionet e përditshme që nga rrëzimi i Asadit.

Liberalizimi i tregut?

Hamëi tha se ishte informuar nga Adelaziz se sistemi mbytës doganor do hiqej, duke përmbushur një kërkesë të madhe të tregtarëve dhe industrialistëve.

“Të gjithë ata që regjistrohen në dhoma tregtie do mund të importojnë mallrat që duan në treg, brenda një sistemi specifik”, tha ai.

Reuters foli me katër biznesmenë të shquar sirianë të cilët thanë se mesazhi nga autoritetet e reja dukej inkurajues dhe shumë larg nga një sistem që ishte kontrolluar rreptësisht nga një grup i vogël biznesmenësh besnikë pranë Asadëve.

Sanksionet perëndimore, shkatërrimi i qyteteve kryesore tregtare dhe industriale të Alepos dhe Homsit gjatë 13 viteve të luftës dhe humbja e të ardhurave nga valuta e huaj nga eksportet e naftës, të gjitha të kombinuara bashkë çuan në shkatërrimin e ekonomisë.

Dëmi llogaritet në dhjetëra miliarda dollarë.

Para se të shpërthenin protestat në rrugë kundër sundimit të Asadit në mars 2011, paundi sirian shkëmbehej me rreth 50 për dollar. Tani është në mbi 15,000, ne një inflacion galopant që i bën shumë tregtarë të luftojnë për t’i çmuar mallrat e tyre.

Stabilizimi dhe hapja e ekonomisë shihet nga ekonomistët si vendimtare për nxitjen e investimeve të reja të nevojshme dëshpërimisht dhe kthimin e mundshëm të miliona sirianëve, duke përfshirë shumë nga klasa e mesme e arsimuar, të cilët ikën nga lufta.

“Siria ka një diasporë të madhe, të arsimuar, relativisht të pasur, e cila do dëshirojë të rindërtojë vendin.” tha një zyrtar i lartë financiar rajonal, duke folur në kushte anonimiteti.

Hamëi tha se ai kishte bërë thirrje të vijueshme biznesmenëve sirianë jashtë vendit, të etur për të kuptuar se si qeveria e re do t’i qaset tregtisë. Ai tha se po i nxiste ata të ktheheshin në shtëpi dhe vuri në dukje nevoja masive për investime për rindërtim, industri dhe shërbime.

“Ata do jenë kontribuesi më i rëndësishëm në zhvillimin e Sirisë”, tha ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani