Nga Ben Caspit
TEL AVIV – Në mes të rënies së regjimit të Assad-it në Siri, Izraeli po shqyrton opsionet për të ndërprerë aksesin e Iranit drejt Libanit përmes territorit sirian.
Izraeli po koordinohet me Shtetet e Bashkuara në lidhje me ndryshimet e shpejta në Siri, duke shpresuar që amerikanët të përdorin ndikimin e tyre për të ndikuar te rebelët që kanë marrë kontrollin e qeverisë në Damask.
A do përfshihen SHBA-të?
“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk hyjnë fuqishëm në hapësirën boshe që është krijuar midis Damaskut dhe Bejrutit, kjo mundësi historike do humbasë,” tha një burim i lartë diplomatik izraelit për Al-Monitor, duke folur në kushte anonimaiteti.
“Kjo nuk do ndodhë pa veprime aktive për të ndikuar dhe për të përdorur ndikimin ndaj atyre që tani do marrin në dorë Sirinë. Ata do kenë nevojë për ndihmë dhe janë të hapur për sugjerime.”
Megjithëse administrata Biden ka deklaruar se nuk ka synim të përfshihet, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha këtë javë se sanksionet e SHBA-së ndaj Sirisë dhe rifillimi i lidhjeve diplomatike me Damaskun mund të përdoren si mjete për të nxitur krerët e rinj të Sirisë të promovojnë një proces politik gjithëpërfshirës.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkroi të shtunën në Truth Social: “Kjo nuk është lufta jonë. Lëreni të ndodhë. Mos u përfshini.”
CNN raportoi se senatori republikan Markwayne Mullin tha të dielën: “Kur kjo bëhet interes i sigurisë kombëtare dhe kërcënim për Shtetet e Bashkuara, atëherë do përfshihemi.”
Rënia e regjimit të Assad-it
Kolapsi i shpejtë i qeverisë së Assad-it e zuri Izraelin krejtësisht të papërgatitur, ashtu si shumicën e shërbimeve të inteligjencës dhe vëzhguesve. Inteligjenca e njohur ushtarake izraelite, e njollosur rëndë nga dështimi për të parandaluar sulmin e Hamas-it më 7 tetor 2023, mbeti e shokuar nga forca dhe shpejtësia e zhvillimeve.
Hyrja e Izraelit në lojë
Të premten e kaluar, një burim i lartë i inteligjencës izraelite tha për Al-Monitor, në kushtet e anonimatit: “Fati i regjimit të Assad-it është i vulosur, por kjo nuk do ndodhë aq shpejt. Mbrojtja e Divizionit të 4-të rreth Damaskut do jetë e vështirë për t’u thyer.”
Të nesërmen, Divizioni i 4-të u shpërbë.
Forcat ushtarake izraelite ndërmorën masa të shpejta pas rënies së plotë të forcave qeveritare siriane në orët e para të mëngjesit të së dielës. Operacioni i parë u krye nga njësia komando Shaldag e forcave ajrore për të marrë kontrollin e pjesës siriane të malit Hermon, një vend strategjik me një lartësi prej 2,814 metrash (9,232 këmbë), që ofron një pamje të gjerë të Sirisë.
Në të njëjtën kohë, përforcime ushtarake u vendosën në Rrafshnaltën e Golanit, duke përfshirë njësitë parashutiste dhe ato të tankeve. Disa nga këto forca kaluan në zonën tampon midis Izraelit dhe Sirisë dhe u vendosën disa qindra metra në lindje të gardhit kufitar izraelit për të ndaluar çdo përpjekje të rebelëve sirianë për të depërtuar në Izrael.
Forca ajrore izraelite nisi gjithashtu një seri bombardimesh precize mbi rreth 300 objektiva strategjikë në gjithë Sirinë, duke përfshirë portin mesdhetar të Latakias, ku bazoheshin forcat detare siriane.
“Ne nuk do lejojmë që ndonjë lloj arme strategjike, vendimtare ose me rëndësi të bjerë në duar të gabuara,” tha një burim i lartë ushtarak izraelit për Al-Monitor, në kushte anonimiteti. Sipas raporteve të mediave të huaja, sulmet shkatërruan mbetjet e armëve kimike të Sirisë, si dhe pozicionet e armëve kundërajrore, depot e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe avionët luftarakë e helikopterët e prodhimit sovjetik.
Izraeli mori vendimin për të shkatërruar këto vende sapo rebelët sirianë filluan të lëvizin drejt Alepos rreth dy javë më parë, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit më 26 nëntor midis Izraelit, Hezbollah-ut dhe Libanit. Fushata e bombardimeve përfitoi nga dritarja midis tërheqjes dhe shpërbërjes së ushtrisë siriane dhe përparimit të forcave rebele drejt Damaskut.
Perspektivat për të ardhmen
Megjithëse Izraeli ende nuk ka vendosur si të veprojë në lidhje me grupet e ndryshme rebele, ai mirëpret zhdukjen e regjimit të Assad-it për shkak të rolit që ka luajtur ndër vite si pjesë e boshtit të drejtuar nga Irani që mundësonte furnizimin e Hezbollah-ut me armë në Liban.
Disa ekspertë të inteligjencës sugjerojnë se rezultati më i mirë për Izraelin do ishte ndarja e Sirisë në disa shtete më të vogla, në përputhje me përkatësitë fetare të popullatës së tyre, në një lloj modeli federal. Ky proces i ashtuquajtur “kantonizim” mund të përfshijë, për shembull, një zonë Druze, një zonë Sunite dhe një zonë Alavite-Shiite.
Reagimi ndaj rënies së Assad-it
Sipas burimeve të inteligjencës izraelite, Izraeli është i kënaqur me zhvillimet e javëve të fundit, pavarësisht pasigurisë. “Sulmi i papritur i Hamas-it ndaj Izraelit do hyjë në histori si një nga sulmet më të rëndësishme në Lindjen e Mesme ndonjëherë,” tha një burim i lartë ushtarak.
“Ata donin të ndryshonin fytyrën e Lindjes së Mesme, dhe ia dolën – por jo ashtu siç mendonin. Ata sollën katastrofë mbi veten dhe mbi boshtin e rezistencës, duke përfshirë ‘unazën e zjarrit’ të Iranit.”
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh euforik në një konferencë për shtyp të hënën në mbrëmje, duke shpallur një “fitore të plotë” dhe duke e vlerësuar Izraelin për “ndryshimin e fytyrës së Lindjes së Mesme.”
Izraeli ka arritur një fitore mbresëlënëse mbi armiqtë e tij, por historia tregon se euforia në Lindjen e Mesme mund të zhduket shpejt.
“Ekziston gjithashtu mundësia që të na mungojë Assad-i,” tha një burim i lartë i sigurisë izraelite.
“Siria e dy Assad-ëve ka qenë vendi më i qëndrueshëm në kufirin e Izraelit që nga Lufta e Yom Kippur-it në vitin 1973.”
Në përfundim, burime diplomatike izraelite vlerësuan se, në afat të shkurtër, zhvillimet janë shumë pozitive. Me ndërprerjen e rrugëve të furnizimit të Hezbollah-ut nga Irani, kjo organizatë do përqendrohet te ruajtja e ndikimit të saj në Liban.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Al Monitor