Në emisionin “Open” në News24, u diskutua mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçka, me fokus në opinionin e Komisionit të Venecias, i cili thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar.
Deputeti Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, theksoi se Shqipëria ka qëndruar katër vjet pa një Gjykatë Kushtetuese dhe pa një Gjykatë të Lartë, një situatë që nuk ndodh në asnjë shtet anëtar të NATO-s. Mediu argumentoi se Kuvendi nuk mund të ndalojë dërgimin e çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, kur 1/10 e anëtarëve të Parlamentit e kërkojnë këtë.
“Sipas logjikës së PS-së, Kuvendi me shumicë votash mund të bllokojë çdo nismë që 1/10 e anëtarëve të Parlamentit mund t’i drejtohen Kushtetueses. Në këtë pikëpamje për çfarë nga duhet Gjykata Kushtetuese kur Kuvendi mund të bllokojë dërgimin e çdo akti?”, tha Mediu. Ai tha se deputeti është në lirinë e tij për të votuar, mund të votojë sipas bindjes që ka, por nuk mund të votojë kundër Kushtetutës.
“Kushtetuta e Shqipërisë thotë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për tu zbatuar”, tha Mediu. Sipas tij, është çështje tjetër ajo se çfarë vendos Gjykata, pra në rastin konkret për mandatin e Olta Xhaçkës, dhe tjetër çështje e drejta e 1/10 të deputetëve që t’i drejtohen Kushtetueses.