Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet seanca në Kushtetuese ku kërkohet t’i hiqet statusi i veçantë gjuhës shqipe


Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut do të shqyrtojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet dhe veprimet shtetërore, përveç gjuhës maqedonase. Ky ligj, që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, vazhdon të shkaktojë polemika politike dhe ligjore, edhe pas më shumë se dy dekadash.

Ligji u miratua në vitin 2018, pas një procesi të gjatë politik, dhe e bën gjuhën shqipe zyrtare në komunat me më shumë se 20% shqiptarë dhe në nivelin qendror. Edhe pse ligji është publikuar në Fletoren Zyrtare në vitin 2019, ai ka hasur në kundërshtime, sidomos nga VMRO-DPMNE dhe disa grupe civile.

Në seancën e sotme, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë 13 iniciativa për shfuqizimin e disa neneve që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe, një iniciativë e mbështetur nga VMRO dhe kundërshtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Kritika të shumta kanë ardhur edhe nga faktorë ndërkombëtarë, duke përfshirë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka theksuar se çështja është para Gjykatës Kushtetuese dhe ajo duhet të vendosë për ligjshmërinë e tij.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi që të ketë një seancë përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në të cilën do të marrin pjesë ekspertë profesorë, por edhe parti politike, ku gjithkush do të shpalosë argumentet e tyre.

Ky propozim doli nga gjykatësja kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për lëndën.

E vetmja që ishte kundër kësaj, ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila tha se Gjykata Kushtetuese është ajo që duhet të japë vendim për diçka, nëse është apo jo kushtetuese.

Nuk dihet kur do të caktohet kjo seancë, ndërsa për në orën 12 u vendos të mbahet një konferencë për media.

 

Sakaq, gjykatësit shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari nuk ishin prezent në seancën e sotme.