Vendosni fjalën kyçe....

Lejet minerare, njoftohen 19 subjekte për revokim deri në fund të nëntorit


Të paktën 19 subjekte minerare janë njoftuar gjatë këtij viti për nisjen e procedurave të revokimit të lejeve të tyre minerare.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi njoftimet për lajmërimet përkatëse të subjekteve që i takojnë periudhës nga shkurti deri në nëntor. Arsyet për revokimin janë të ndryshme nga rasti në rast.

Kështu për të paktën një subjekt duket se shkak për revokimin është bërë mosnisja e punimeve pasi kompania që ka përfituar lejen ka pasur probleme me banorët e zonës. Kompania kishte fituar të drejtën për nxjerrjen e kromit por konflikti i vazhdueshëm ka bërë që mos të avancojë me zbatimin e planit të saj.

Në disa raste kompanitë nuk kanë respektuar detyrimin e tyre sa i takon pagesës së garancisë financiare të rehabilitimit.

Kjo është një shumë parash që duhet të sigurohet nga kompania në mënyrë që të përdoret për të kthyer në gjendjen e mëparshme terrenin. Bëhet fjalë për garancitë financiare që duhet të paguhen nga kompanitë ose për vitin 2023 ose për vitin 2024 kur nuk janë respektuar afatet e nevojshme.

Në raste të tjera revokimi lejes minerare ka ardhur si efekt i mospërmbushjes së detyrimit që lidhet me planin e punës teksa subjektet nuk ushtrojnë aktivitet për një kohë të gjatë çka e bën legjitime nisjen e procesit të heqjes së lejes.

Një tjetër rast revokimi ka ardhur si efekt i mospërmbushjes së detyrimeve që lidhen me marrjen e lejeve të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit. MIE ka njoftuat një subjekt për procesin e heqjes së lejes pasi nuk zotëron leje mjedisore për ushtrimin e aktivitetit të saj.

Në një shkresë tjetër MIE nënvizon se një subjekt nuk ka bërë deklarime të sakta pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës. Pra deklarimet nuk përputhen me situatën faktike në terren ku subjekti ushtron aktivitetin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor