Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të shpallë sot zgjedhjen e tij për kryeministrin e ri, pas largimit të Michel Barnier, i cili u përjashtua nga parlamenti më 4 dhjetor, me një votë mosbesimi.
Zgjedhja e parë e Macron përflitet të jetë centristi veteran Francois Bayrou, por ai po shkakton reagime si nga e majta ashtu edhe nga e djathta.
Emra të tjerë që po konsiderohen përfshijnë ish-kryeministrin Bernard Cazeneuve, ministrin aktual të mbrojtjes Sebastien Lecornu, si dhe ish-ministrin e jashtëm Jean-Yves Le Drian.
Rënia e qeverisë ka bërë presion mbi Macron pasi ai thirri zgjedhje të parakohshme në fillim të këtij viti, të cilat dhanë efekt të kundërt për të.
Partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Macron në mes të krizës politike dhe ekonomike, me një buxhet të vitit 2025 që ende nuk është miratuar nga parlamenti.
Megjithatë, presidenti në një fjalim televiziv tha se do të qëndrojë “deri në fund” të mandatit të tij pesëvjeçar, deri në maj 2027.