Hamasi u është dorëzuar dy prej kërkesave kryesore të Izraelit për një marrëveshje armëpushimi në Gaza, thanë ndërmjetësit arabë, duke rritur shpresat për një marrëveshje që mund të lirojë disa pengje brenda disa ditësh, pavarësisht kolapsit të përsëritur të negociatave të mëparshme.
Grupi militant u tha ndërmjetësuesve për herë të parë se do pajtohej me një marrëveshje që do t’i lejonte forcat izraelite të qëndronin në Gaza përkohësisht kur të ndalonin luftimet. Hamasi dorëzoi gjithashtu një listë pengjesh, përfshirë shtetas amerikanë, të cilët do t’i lironte sipas një pakti të armëpushimit, diçka që nuk e ka bërë që nga armëpushimi i parë në konfliktin e vitit të kaluar.
Plani i ri, i propozuar nga Egjipti dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, synon të shfrytëzojë vrullin e krijuar nga armëpushimi në Liban i siguruar në nëntor, i cili është zbatuar gjerësisht pavarësisht se Izraeli dhe Hezbollahu akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të herëpashershme.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk pranoi të komentonte.
Netanyahu tha të hënën se kishte zhvillime të caktuara në bisedimet e armëpushimit, por ishte shumë herët për të thënë nëse një marrëveshje ishte e arritshme.
Përparimi drejt një marrëveshjeje vjen pasi një delegacion egjiptian vizitoi Izraelin në fund të nëntorit dhe pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump shkroi në Truth Social në fillim të këtij muaji se Lindja e Mesme do përballej me ferrin në Tokë nëse pengjet nuk do liroheshin më parë. Ai e merr detyrën në janar.
Si pjesë e propozimit të fundit, Izraeli dhe Hamasi po shqyrtojnë një periudhë 60-ditore armëpushimi që do parashikonte lirimin e deri në 30 pengjeve që mbahen në Gaza, duke përfshirë shtetas amerikanë, sipas ndërmjetësuesve. Në këmbim, Izraeli do lironte të burgosurit palestinezë dhe do lejonte që ndihma më e madhe humanitare të vërshonte në Gaza, thanë ata.
Negociatat u shtuan këtë javë me një delegacion izraelit që vizitoi Kajron të martën, disa ditë pasi zyrtarët e Hamasit ishin në kryeqytetin egjiptian.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, pas një takimi me Netanyahun të enjten në Jerusalem, tha se mendonte se lirimi i pengjeve dhe marrëveshja për armëpushimin në Gaza ishin afër. Ai tha se arritjet ushtarake të Izraelit në Gaza, rënia e regjimit të Asadit në Siri, dhe veçanërisht armëpushimi i fundit midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah, kanë ndikuar në një zbutje të qëndrimeve që mund të hapin rrugën për një marrëveshje.
“Për muaj të tërë, ne besojmë se Hamasi po priste që shumë aktorë dhe forca të tjera t’i vinin në shpëtim,” tha Sullivan.
Pas armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit, shtoi ai, “ne kishim një karakter tjetër të negociatave dhe besojmë se kjo na vendos në një pozicion që të jemi në gjendje ta mbyllim këtë negociatë”.
Sullivan pritej të udhëtonte gjithashtu në Egjipt dhe Katar këtë javë për të shtyrë për një marrëveshje, thanë ndërmjetësit.
Raundet e mëparshme të bisedimeve u luhatën vazhdimisht, por Hamasi në javët e fundit ka shfaqur më shumë gatishmëri për disa çështje kyçe. Ndërmjetësuesit thanë se ato përfshijnë gatishmërinë për të pranuar forcat izraelite që mbeten përkohësisht në korridorin e Filadelfit, një rrip i vogël toke përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin dhe korridori Netzarim, i cili ndan enklavën. Grupi militant gjithashtu ka rënë dakord se nuk do kandidojë ose nuk do ketë një prani në anën palestineze të kalimit Rafah midis Egjiptit dhe Gazës.
Hamasi i kishte rezistuar prej kohësh këtyre kushteve izraelite për një marrëveshje, por është shprehur i hapur për një kompromis që kur aleati i tij Hezbollah ra dakord për një armëpushim në Liban. Kjo marrëveshje e la Hamasin, tashmë të dobësuar nga sulmet e Izraelit ndaj udhëheqjes dhe luftëtarëve të tij, të izoluar në luftën kundër Izraelit.
Në tetor, Izraeli vrau Yahya Sinwar, udhëheqësin e Hamasit, i cili kishte këmbëngulur se një marrëveshje duhet të përfshinte një fund të plotë të luftës dhe tërheqjen e të gjitha forcave izraelite nga Gaza. Hamasi tani drejtohet nga një udhëheqje e përbashkët, duke përfshirë zyrtarë nga diaspora palestineze, thonë njerëz të njohur me këtë çështje, derisa të zgjidhet një pasardhës i Sinwar.
Megjithatë, negociatorët arabë paralajmëruan se Hamasi ende mund të tërhiqet nga marrëveshja në çastin e fundit, siç ka bërë më parë.
Hamasi u dorëzoi të dielën ndërmjetësuesve në Kajro një listë pengjesh që përfshin shtetas amerikanë, gra, të moshuar dhe robër me probleme shëndetësore, si dhe trupat e pesë pengjeve të vdekur, thanë ndërmjetësit arabë. Ai gjithashtu përpiloi një listë të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, lirimin e të cilëve grupi ka kërkuar si pjesë e marrëveshjes.
Pengjet mund të lirohen menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe Hamasit do t’i jepet më shumë kohë për të përcaktuar emrat e pengjeve të mbetura, vendndodhjen e tyre dhe gjendjen e tyre shëndetësore, thanë ndërmjetësit.
“Një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve kërkon që të miratohet nga të dyja palët, dhe kështu armiku duhet të marrë një vendim politik për të arritur një marrëveshje themelore,” tha Hamasi në një deklaratë për The Wall Street Journal.
Raundi i fundit i bisedimeve të armëpushimit kishte ngecur mbi kërkesat e Netanyahut që forcat izraelite të mbeten në korridoret strategjike në Gaza.
Pika të tjera penguese përfshinin nëse ndonjë ndërprerje e luftimeve do ishte e përkohshme apo e përhershme, si të sigurohet kufiri midis Gazës dhe Egjiptit dhe aftësia e Izraelit për të kontrolluar palestinezët që kthehen në Gazën veriore. Çështje të tjera ishin se cilat të burgosur palestinezë do miratoheshin për lirim dhe numri i pengjeve të gjallë që do liroheshin.
Netanyahu, në përgjigje të pyetjes së një gazetari nëse ai ishte i gatshëm të hiqte dorë nga prania e Izraelit përgjatë korridorit të Filadelfit për të lehtësuar një marrëveshje, tha se korridori duhet të vijojë të jetë nën kontrollin e Izraelit.
Negociatorët izraelitë aktualisht po bëjnë presion për lirimin e më shumë pengjeve në fazën fillestare të armëpushimit, por kanë rënë dakord të tërhiqen gradualisht nga korridori i Filadefit. Izraeli u ka thënë negociatorëve se është i gatshëm të ripozicionojë forcat izraelite në pjesë të tjera të Gazës, por hodhi poshtë kërkesën për të kufizuar praninë e tij në pjesë të tjera, përfshirë Gazën veriore.
Lufta u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, që lanë 1200 të vdekur dhe rreth 250 pengje. Më shumë se 44,000 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Izraeli thotë se tani kanë mbetur 96 pengje në Gaza, shumica prej tyre izraelitë. Ato përfshijnë shtetas me shtetësi të dyfishtë dhe të paktën 30 pengje për të cilët Izraeli ka konstatuar se nuk janë më gjallë. Katër pengje të tjera të marra para 7 tetorit 2023, e çojnë totalin në 100 pengje.
Përpjekjet diplomatike disamujore të udhëhequra nga SHBA-ja për të arritur një marrëveshje për të ndaluar dhunën dhe për të liruar pengjet e mbetura kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve të thella nëse trupat izraelite mund të qëndrojnë në Gaza dhe nëse duhet të ketë një fund të përhershëm të luftimeve. E vetmja pauzë e negociuar në luftime u zhvillua në fund të nëntorit të vitit të kaluar.
Negociatorët arabë besojnë se pas arritjes së një armëpushimi fillestar, do ishte e vështirë për Izraelin të rifillonte luftën në Gaza.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani