Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mashtrimin dhe neglizhencën ndaj pensionistëve dhe shtresave më të dobëta të shoqërisë.
Gjatë një takimi me pensionistët në Elbasan, Berisha vuri theksin te rritja e konsiderueshme e çmimeve të produkteve bazë dhe ilaçeve, duke theksuar se kjo rritje është 3.7 herë më e lartë se norma e inflacionit, mbi bazën e së cilës janë indeksuar pensionet.
Sipas Berishës, pensionet janë indeksuar vetëm bazuar në një normë inflacioni të përgjithshëm, që nuk reflekton realitetin për pensionistët. Ai theksoi se çmimet e ushqimeve të shportës dhe ilaçeve – që përbëjnë prioritetet e kësaj shtrese – janë rritur shumë më tepër.
Berisha përmendi se qeveria ka mbledhur 8.2 miliardë euro nga bizneset, por këto fonde nuk janë përdorur për të ndihmuar qytetarët. Ai akuzoi Ramën se i ka drejtuar pensionistët drejt përplasjes me bizneset në vend që të zgjidhte problemet reale.
Duke kujtuar arritjet e qeverisë së tij, Berisha tha se në vitin 2013 Shqipëria kishte pagat dhe pensionet më të larta në rajon, duke dalë nga grupi i vendeve më të varfra. Por, sipas tij, këto arritje u kthyen pas përmes ngrirjes së pagave dhe pensioneve për 12 vite radhazi.
Berisha theksoi se pensioni mesatar sot është 15% më i ulët në krahasim me vitin 2013, kur llogaritet inflacioni real për produktet bazë dhe ilaçet. Ai e cilësoi këtë si një politikë të padrejtë dhe cinike ndaj shtresave më të brishta.
Kreu i PD-së e quajti qeverinë aktuale të papërgjegjshme dhe mashtruese, duke theksuar se politika e saj ka qenë e orientuar për të shtuar varfërinë dhe për të favorizuar vetëm interesat e një grupi të vogël të privilegjuarish.
Berisha përfundoi duke apeluar për një qasje më humane dhe një politikë ekonomike të drejtë, që të ndihmojë shtresat e varfra dhe pensionistët të përballojnë realitetin ekonomik gjithnjë e më të ashpër.
“Rritja e çmimeve të ushqimeve të shportës dhe ilaçeve është 3.7 herë më e lartë se rritja e inflacionit të përgjithshëm që indeksohen pensionistët. Edi Rama ndërmorri vallen e pashpirtësisë, i mashtroi 1 muaj e gjysmë këta njerëz, duke akuzuar biznesmenët. Po pse e kanë fajin biznesmenët kur prej tyre janë mbledhur 8.2 mld euro, që janë të barazvlefshme me dy buxhete të vitit 2008. Pra çfarë bëri Edi Rama, i tha pensionistëve shikoni me inat biznesmenët.
Në vitin 2013, me një përpjekje shumë të madhe, nga viti 2005, ne dolëm në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet, e hoqëm atë vulën e më të varfërve, sepse ajo vulë ishte shumë e pamerituar për ne, sepse ne jemi një vend me pasuri përrallore. Nuk ka një vend të dytë, jo në rajon, por askund me pasuritë që ka Shqipëria.
Ajo që ne trashëguam, më të varfrit e të varfërve, aty u shkëputëm nga ajo kohë. Në vitin 2013 kishim paga dhe pensione më të lartat se 6 vendet e rajonit, plus Buljgaria dhe Rumania.
Kjo ishte në radhë të parë vullnet politik. Shqiptarët duhet të dilnin shpejt nga varfëria. Nuk dolëm, por bëmë hapa shumë të mëdhenj përpara. Kaluam nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Kjo ishte, dhe aty e dorëzuam pushtetin, humbëm zgjedhjet, bëmë rotacionin.
Çfarë ndodhi? Ndodhi një dukuri që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Europës.
Për 12 vite u ngrinë rrogat në një politikë absolutisht kriminale, rrogat u ngrinë, çmimet u rritën trokthi.
Pensionet u shpallën se do indeksoheshin dhe ai u provua një mashtrim i madh. Pensionet absolutisht nuk u indeksuan, por nëse marrim indeksimin e fundit, që nuk ishte as 4 përqind, pensionet sot, 160 mijë lekë pensioni mesatar me 143 mijë që ishte pensioni në vitin 2013. Po të zbresësh inflacionin, janë të paktën 15 përqind më të ulëta.
Kjo në pamje të parë sepse inflacioni llogaritet duke marrë për bazë çmimet e dhjetëra artikujve.
Mirëpo për pensionistin, 60 përqind e tyre nuk kanë asnjë vlerë, as nuk i blen, as nuk i shet. Pensionisti ka në radhë të parë produktet bazë dhe ilaçet.
Këtu ndalemi. Në qoftë se i referohemi inflacionit të këtyre produkteve, ky inflacion, kjo rritje është 3.7 herë më e lartë se sa e rritja e inflacionit të përgjithshëm, për të cilin janë indeksuar pensionistët.
Rritja e çmimeve të shportës dhe ilaçeve është pra 3.7 herë më e lartë se sa rritja në tërësi e të gjithë produkteve.
Ky është pra një mashtrim i madh që u bëhet pensionistëve, një mashtrim cinik, i pashpirt”-tha Berisha.