Vendosni fjalën kyçe....

U kapën duke luajtur poker në lokal, arrestohet administratori dhe pesë persona në Fier


Policia e Shtetit në Fier ka arrestuar administratorin e lokalit i cili kishte përshtatur ambientin e marrë me qira për të organizuar lojëra fati poker.

Gjithashtu u arrestuan dhe 5 shtetas të tjerë që u kapën në flagrancë duke luajtur poker.

Sekuestrohen shuma parash, çipsa, një tavolinë pokeri dhe sende të tjera.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Fier në kuadër të kontrolleve për parandalimin e veprimtarisë së paligjshme të lojrave të fatit, kanë finalizuar operacionin “Poker”, dhe arrestuan shtetasit:

–  E. V., 47 vjeç, H. K., 32 vjeç, M. B., 26 vjeç, A. T., 42 vjeç, E. Xh., 34 vjeç, dhe K. H., 35 vjeç, të gjithë banues në fshatin Mbyet, Fier.

Këta shtetas u kapën në flagrancë në  lokalin e shtetasit E. V., duke luajtur poker.

Në vijim të veprimeve procedurale specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasit e mësipërm për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.