Policia e Shtetit ka arrestuar dy persona në Vlorë, pasi dyshohet se kanë kryer së paku 6 vjedhje në Dukat, Radhimë e në Orikum.
Në pranga kanë rënë shtetasit Jemin Selamaj dhe Genci Goxhoj.
Atyre iu sekuestrua edhe ruloti i vjedhur, që u gjet i fshehur, në banesën e njërit prej autorëve.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Rulot,” si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:
J.S, 26 vjeç, banues në Orikum;
G.G., 38 vjeç, banues në Dukat.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 14.12.2024, në fshatin Dukat, kanë vjedhur një shumë prej 700 euro dhe 25,000 lekë në banesën e shtetases R. I, si dhe një rulot ( camper) në pronësi të shtetasit A. C, i cili u gjet dhe u sekuestrua gjatë kontrollit të banesës së shtetasit G. G.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas dyshohen si autorë të 4 vjedhjeve të tjera të kryera gjatë 3 muajve te fundit, konkretisht: Vjedhje të disa koshereve të bletëve në Radhimë dhe Llogara dhe vjedhje të disa bagëtive në Radhimë dhe Orikum.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.