Vendosni fjalën kyçe....

“Diaspora refuzon patronazhimin e Edi Ramës” – Vokshi dhe Hoti takojnë mbështetësit në Belgjikë


Deputetet e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Elda Hoti, zhvilluan takime me shqiptarë në Antwerp dhe Bruksel tw Belgjikës.

Pjesëmarrësit dhanë dëshmi të shumta të presionit për t’u regjistruar në listat e patronazhimit të Rilindjes, përndryshe familjarët apo të njohurit e tyre do të humbnin punën, ndihmën ekonomike, KEMP-in apo shërbime të tjera.

Kryetari i PD Belgjikë, z. Agim Sheta, në fjalën e tij theksoi se ky takim me deputetet e PD në Kuvendin e Shqipërisë shërben për të diskutuar rreth situatës politike në Shqipëri, si dhe mbi mënyrat për të forcuar rolin e diasporës në procesin zgjedhor të vitit 2025.

Të shfrytëzojmë këtë mundësi, tha ai – për të ndarë ide dhe pritshmëri, dhe për të forcuar lidhjen jetike midis Shqipërisë dhe diasporës së saj.”

Në fjalën e saj, znj. Hoti u ndal në realitetin e sotëm në Shqipëri, krejtësisht të ndryshëm nga propaganda që promovon Edi Rama.

Shqipëria po përballet me varfëri, korrupsion dhe largimin masiv të të rinjve, ndërsa retorika qeveritare përpiqet ta zbukurojë këtë situatë. Është detyra jonë të punojmë fort për ta bërë vendin tonë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të begatë, që një ditë secili prej jush të mund të kthehet për të jetuar në Shqipëri. Largimi i të rinjve nga Shqipëria është një nga problemet më të mëdha, sepse rinia nuk është prioritet i politikave të kësaj narkoqeverie.

Krimi i organizuar, falë lidhjeve të ngushta me Edi Ramën, ka shkatërruar shtetin e së drejtës, ka manipuluar zgjedhjet dhe ka thelluar varfërinë e qytetarëve. Për të shpëtuar demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë, duhet të priten rrënjët e këtij sistemi të korruptuar dhe të ndërtohet një qeverisje që punon për njerëzit, jo për bandat. Diaspora ka një rol kyç për të sjellë ndryshimin dhe për të ndihmuar në rikthimin e shpresës, demokracisë dhe zhvillimit të vërtetë në Shqipëri. Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë dhe një forcë e jashtëzakonshme për ndryshimin e Shqipërisë”-tha Hoti.

Deputetja Vokshi, pasi u ndal në situatën politike në Shqipëri, theksoi mbështetjen e madhe jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, nëpërmjet 3 rezolutave të miratuara nga CDI, EPP dhe IDU, që kërkojnë ndaljen e persekutimit politik dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme nëpërmjet një qeverie kujdestare, si modeli i Maqedonisë.

Kemi kaluar disa vite shumë të vështira, përballë një sulmi të paprecedent për të shkatërruar dhe zhbërë opozitën nëpërmjet arrestimeve, burgosjeve, hapjes së çështjeve gjyqësore, kërcënimeve edhe me jetë, përdorimit të pengjeve brenda PD. Por, falë edhe sakrificës sublime të Kryetarit të PD, z. Berisha, pothuajse një vit i arrestuar pa akuzë, si dhe sakrificës së mijëra demokratëve dhe qytetarëve që ju bashkuan PD-së, arritëm të mbronim pluralizmin dhe demokracinë.

Situata është e vështirë, por së bashku mund dhe do t’ia dalim të ndalim këtë regjim e të rikthejmë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit. Patronazhimi i Ramës, presionet dhe shantazhet nuk e ndikojnë dhe nuk e dhunojnë dot votën tuaj! Sepse ju jeni qytetarë të lirë në vendet me demokraci funksionale! Ndaj ftoj çdonjërin prej jush të ndihmojë për të siguruar pjesëmarrjen më të madhe në votime, si votë për shpëtimin e Shqipërisë,” – theksoi Vokshi.

Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin për vjedhjen dhe manipulimin e votës, kërkuan përfaqësim në Parlament dhe vendimmarrje në qeverisjen e ardhshme, duke siguruar angazhim maksimal për regjistrimin dhe votimin mes diasporës, si votë përcaktuese për ndryshimin në Shqipëri dhe rikthimin e lirive dhe të drejtave.