Vendosni fjalën kyçe....

Blushi akuza Ballukut: Tuneli i Llogarasë aferë ku u paguan 50 milionë euro ryshfet


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi akuzoi ministren e Infrastrukturës Balluku si hajdute në projektet infrastrukturore në vend.

Gjatë një takimi me strukturat e partisë në Fier, ku Balluku është e dërguara e PS-së, ai tha se tuneli i Llogarasë është një aferë ku janë paguar 50  milionë euro ryshfet.

Ai tha se kjo gjë ishte denoncuar edhe nga ish-zv.kryeministri Ahmetaj.

“Belinda Balluku vjen në Fier si e dërguara e Edi Ramës për të blerë votat e fierakëve. Një nënë, një grua që ju prin bandave të Edi Ramës, më vjen keq ta them por nuk e meriton këtë fjalë, sepse është kjo ministre që në radhë të parë mban përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe penale për vjedhjet e përbindshme që sot e kësaj dite po ndodhin me taksat tuaja. Mjafton vetëm tuneli i Llogarasë, afera më e freskët për të cilën janë paguar 50 milionë Euro bakshish, e denoncuar kjo nga ish- krahu i djathtë i Edi Ramës për ekonominë, Arben Ahmetaj. Mjafton rruga e shembur Korçë-Ersekë, për të cilën sot e kësaj dite nuk ka nisur një hetim që kjo zonje të ishte sot para ligjit dhe jo duke kërkuar vota në Qarkun e Fierit”, tha ai.