Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave u diskutua Akti Normativ që i rikthen Profesionistëve të lirë paratë që iu morrën padrejtësisht nga taksa antikushtetuese e profesioneve të lira.
Deputetja Jorida Tabaku, e cila ka propozuar pak javë më parë një propozim ligjor për rikthimin e këtyre parave, ka mbajtur një fjalë kritike lidhur me paratë e marra padrejtësisht nga Profesionistët e Lirë, pas shpalljes antikushtetuese të taksës nga Gjykata Kushtetuese.
Tabaku theksoi se sëbashku me Partisë Demokratike, ka luftuar për dy vite për të mbrojtur të drejtat e Profesionistëve të Lirë, duke kundërshtuar një taksë që, sipas saj, cenonte drejtësinë dhe barazinë. Ajo vuri në pah se mazhoranca dhe Ministria e Financave u përpoqën të shpërfillnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese përmes zvarritjeve dhe shkresave të panevojshme.
“Akti Normativ është një hap i vonuar dhe vjen si rezultat i një vendimi të qartë të Gjykatës Kushtetuese, por edhe i presionit të një beteje të drejtë të Partisë Demokratike dhe Profesionistëve të Lirë. Ky vendim tregon se qeveria, ndonëse me vonesë, di të kthehet në binarët e ligjshmërisë.” u shpreh Tabaku.
Deputetja kritikoi gjithashtu sjelljen abuzive të qeverisë dhe Drejtorisë së Tatimeve, që vazhdoi të dërgonte njoftime dhe të mblidhte taksën e shpallur antikushtetuese, edhe pasi çështja po shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese.
“Nëse kjo taksë e padrejtë nuk do të ishte mbledhur, sot nuk do të nevojitej një Akt Normativ për të korrigjuar tre gabime të qeverisë: së pari, vendosjen e taksës; së dyti, shpërfilljen e vendimit të Gjykatës; dhe së fundmi, zvarritjen e tij,” deklaroi ajo.
Në fjalën e saj, deputetja e PD, vuri theksin mbi rëndësinë e respektimit të vendimeve të institucioneve të pavarura dhe mbrojtjes së qytetarëve nga veprimet arbitrare të qeverisë. Ajo e cilësoi Aktin Normativ si një korrigjim minimal të një gabimi trefish të qeverisë: vendosjen e taksës së padrejtë, shpërfilljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe zvarritjen e zbatimit të tij.
Tabaku dakordësoi me mendimet e deputetëve që në Aktin Normativ të përfshihet anulimi i të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të aplikuara ndaj Profesionistëve të Lirë. Ajo e konsideroi këtë një hap të domosdoshëm për të rikthyer dinjitetin e tyre dhe për të garantuar respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Ajo që ndodhi është një shembull i qartë i pabarazisë dhe pandershmërisë që qeveria përdor përmes ligjeve. Ligjet nuk mund të jenë barrë antikushtetuese për qytetarët,” përfundoi Tabaku, duke vlerësuar qëndrimin e opozitës dhe bashkimin e Profesionistëve të Lirë në këtë betejë për drejtësi dhe barazi.
Ajo deklaroi se ndjehet krenare që kjo betejë dy vjeccare që bashkoi edhe Profesionistët e Lirë me opozitën në një kauzë mundi të përfundojë me sukses vetëm falë bashkimit në një qëllim të drejtë.
“Pabarazia dhe pandershmëria nuk mund të shpëtojnë pa u sfiduar në Gjykatën Kushtetuese, sepse një qeveri që përdor ligjet për të mbjellë pabarazi, nuk është qeveri e drejtë.” – theksoi ajo