Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Kriza e Gjykatës Kushtetuese e shpikur, reflekton përplasjet e fraksioneve brenda “Rilindjes”


Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta e ka cilësuar krizën e Gjykatës Kushtetuese si një “krizë e shpikur” që pasqyron kapjen e shtetit nga mafiozët dhe narkotrafikantët, duke e quajtur Shqipërinë një “NarkoRepublikë”.

Ai akuzon kapjen e Gjykata Kushtetuese dhe drejtësisë nga Edi Rama për moszbatim të ligjit dhe kjo sipas tij bëhet me mbështetjen e diplomatëve të huaj që i quan “Narkodiplomatë”.

Meta deklaron se për vite me radhë KED është bllokuar për t’i shërbyer planeve të Edi Ramës për kontrollin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykatësi përgjegjës për falsifikime u amnistua nga SPAK, duke u justifikuar me “mungesë pasojash”, ndërkohë që Meta argumenton se bllokimi i Gjykatës Kushtetuese për vite ishte një problem serioz.

Meta e përshkruan këtë krizë si një reflektim të konflikteve të brendshme mes fraksioneve të “Rilindjes” për kontroll mbi drejtësinë, për interesa personale dhe për të mbështetur planet e Edi Ramës për të pasur kontroll të plotë mbi Gjykatën Kushtetuese.

Meta thotë se zgjidhja nuk mund të vijë nga Gjykata Kushtetuese, por përmes respektimit të sovranitetit popullor (neni 2 i Kushtetutës). Ai apelon për vijimin e protestave dhe mosbindje civile si rruga e vetme për rrëzimin e regjimit aktual.

Deklarata e plotë:

Kriza e shpikur për Gjykatën Kushtetuese tregon NarkoRepublikën që ka zaptuar zyrat e shtetit dhe qeveris sipas urdhrave të mafias dhe narkotrafikantëve.

Gjykata Kushtetuese është prej kohësh në krizë te thellë të moszbatimit të ligjit dhe Republika prej kohësh është vetëm në letër për shkak të kapjes së drejtësise nga Edi Rama dhe përkrahjes, që i është dhënë kësaj drejtësie nga Narkodiplomatë të caktuar.

Prej vitesh u bllokua KED sepse nuk dilnin goglat si i kërkonte Edi Rama për ta rrëmbyer me çdo kusht e çdo mjet.

Gjyqtari përgjegjës për falsifikimet u amnistua nga SPAK, gjoja për mungesë pasojash, sepse bllokimi për vite i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte problem dhe nuk kishte pasoja sipas për SPAK-ut të Edi Ramës.

Ky debat i shpikur reflekton luftën e brendshme te fraksioneve të “Rilindjes” brenda drejtësisë për ta kontrolluar atë për interesat dhe përfitimet e tyre të pista, por edhe në përmbushje të qëllimit të Edi Ramës për të kontrolluar Gjykatën Kushtetuese 9-0 vitin e ardhshëm si vijim i skenarit të dështuar të betimit tek Lana që u asgjësua në atë kohë nga unë, si President i Republikës.

Zgjidhja e kësaj krize të stisur nuk vjen përmes Gjykatës Kushtetuese, por vetëm nga respektimi i nenit 2 të Kushtetutës “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”. Ndaj vijimi i protestave dhe mosbindja civile është rruga e vetme për t’i shkurtuar ditët Narkoregjimit që mbahet në këmbë nga Narkodrejtësia.