Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri – BE, Rama: Synojmë që në 2025 të hapim të gjithë kapitujt


Kryeministri Edi Rama ka folur nga Brukseli ku është për Konferencës së tretë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për hapjen e Grupkapitullit të VI.

Delegacioni shqiptar kryesohet nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili në një prononcim tha se synohet që brenda viti 2025 të hapen të gjithë kapitujt. 

Kreu i qeverisë u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm që po bëhet sipas planit.

“Marshi ynë vazhdon! Jemi këtu për të ndërmarrë një hap të ri të rëndësishëm dhe për të hapur një grupkapitull të ri, i cili është shumë, shumë i rëndësishëm për planin tonë, sepse është një hap që po bëhet sipas planit.

Dhe po, duhet të vazhdojmë përpara dhe ambicia jonë është të hapim më shumë grupkapituj, shpresojmë në pranverë, dhe pastaj të sigurohemi që viti i ardhshëm të mbyllet me grupkapitujt e hapur.

 

 

Është me të vërtetë një ditë shumë e mirë për vendin tonë dhe një hap shumë motivues për të gjithë ne!”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës (30, 31) të grupkapitullit të VI.

Konferenca Ndërqeveritare i paraprin Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet ditën e nesërme, si dhe një sërë takimeve që Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit do të zhvillojnë me përfaqësues të lartë të BE.