Vendosni fjalën kyçe....

SPAK konfiskon katër pasuri të Alket Hatijas


Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke konfiskuar disa pasuri të paluajtshme të përfituara nga veprimtaria kriminale e Alket Hatijas, i njohur si “Zoti i drogës” nga autoritetet italiane dhe mediat.

Hatija, i dënuar me 20 vjet burgim nga autoritetet italiane për trafikimin e sasive të mëdha heroinë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, ka kryer veprimtari kriminale gjatë periudhës 2003-2004. Ai akuzohet se ka transportuar, mbajtur dhe shitur lëndë narkotike me sasi të mëdha, duke përdorur automjete për transportin ndërkombëtar. Sipas hetimeve, Hatija dhe bashkëpunëtorët e tij kanë trafikuar më shumë se 400 kilogramë heroinë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Konfiskimi”, janë konfiskuar pasuritë e regjistruara në emër të Hatijas dhe familjarëve të tij, përfshirë një sipërfaqe toke truall, një garazh dhe dy apartamente në Durrës dhe Kavajë.

Njoftimi:

“Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Konfiskimi”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, të cilat ky shtetas i kishte regjistruar në emër të vet dhe të familjarëve të tij”, njoftoi Policia e Durrësit, që bën edhe ekzekutimin e vendimit. Konkretisht bëhet fjalë për:

-1 sipërfaqe toke truall
-1 garazh
-1 apartament në Durrës
-1 apartament në Kavajë

Alket Hatija akuzohet se gjatë periudhës 2003-2004, ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali.

Ai ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast). Por sasitë në total mund të shkonin edhe mbi 400 kilogramë të dokumentuara nga përgjimet dhe hetimet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.