Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Basha shkruan në Ditën e Emigrantëve, se emigrimi nuk duhet të jetë e vetmja mundësi.
Ai thekson se korrupsioni, mungesa e meritokracisë dhe e mundësive, kriza e shëndetësisë, degradimi i arsimit, cënimet e lirisë dhe të drejtave, kanë detyruar mijëra shqiptarë të lënë atdheun.
Basha u bën thirrje shqiptarëve brenda e jashtë vendit që më 11 maj 2025 të votojnë për ndryshimin dhe se së bashku mund të rikthehet shpresa e të ndërtohet një e ardhme pa qenë nevoja e emigrimit.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, një përshëndetje me mirënjohje dhe respekt për të gjithë shqiptarët që, ndonëse larguar nga vendlindja, mbajnë gjithmonë Shqipërinë në zemër. Ju, me punën, sukseset dhe përkushtimin tuaj, jeni ambasadorët tanë më të fuqishëm dhe forca që na frymëzon për një të ardhme më të mirë. Emigrimi nuk duhet të jetë e vetmja mundësi. Për fat të keq, korrupsioni, mungesa e meritokracisë dhe e mundësive, kriza e shëndetësisë, degradimi i arsimit, cënimet e lirisë dhe të drejtave, kanë detyruar mijëra shqiptarë të lënë atdheun e tyre. Por ky realitet mund të ndryshojë! Në vitin 2025, ju ftojmë të bëheni pjesë e ndryshimit. Vota juaj është fuqia për të ndërtuar një Shqipëri ku ju mund të ktheheni dhe jetoni me dinjitet, ndërsa të dashurit tuaj këtu të çlirohen nga ankthi dhe pasiguria ekonomike që i shtrëngon të mbijetojnë me kursimet që bujarisht dërgoni. Së bashku mund të rikthejmë shpresën dhe të ndërtojmë një të ardhme ku asnjë shqiptar të mos ndihet i detyruar të largohet! Votoni për një Shqipëri më të drejtë dhe më të fortë!” – shkruan Basha.