Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata më e lartë e Francës lë në fuqi dënimin e ish-presidentit Sarkozy


Cour de Cassation, gjykata më e lartë e Francës, la në fuqi të mërkurën dënimin e ish-presidentit Nicolas Sarkozy për korrupsion. Sarkozy kishte apeluar dënimin e vitit 2021 me tre vite burg për korrupsion. Dy nga vitet u pezulluan dhe Sarkozy duhet të ishte nën mbikëqyrje elektronike në vend që të shkonte në burg vitin e fundit.

Patrice Spinosi, avokat i Sarkozy, tha se Sarkozi do e apelojë masën në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Sfida që do çojmë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, mjerisht, mund të çojë në një dënim kundër Francës”, shkroi Sarkozy në rrjetin social X.

“Dua të deklaroj edhe një herë se jam qartësisht i pafajshëm”, shtoi ai.

Spinosi shtoi se Sarkozy do respektojë vendimin që e detyron atë të mbajë një byzylyk elektronik, por do vijojë të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të provuar pafajësinë e tij.

Sarkozy, një konservator që mbetet një figurë e rëndësishme në politikën franceze edhe pas largimit nga detyra në vitin 2012, ishte shpallur fajtor nga një gjykatë më e ulët për përpjekjen për të korruptuar një gjyqtar dhe për shitje të ndikimit në këmbim të informacionit konfidencial në lidhje me një hetim në financat e fushatës së tij në vitin 2007.

Gjykata zbuloi se Sarkozy komplotoi për të siguruar një punë në Monako për një gjyqtar në këmbim të informacionit të brendshëm në lidhje me një hetim mbi pretendimet se Sarkozy kishte pranuar pagesa të paligjshme nga trashëgimtarja e L’Oreal, Liliane Bettencourt.

Gjyqtari, Gilbert Azibert, u dënua gjithashtu për korrupsion. Sarkozy pritet të dalë në gjyq vitin e ardhshëm për akuzat e korrupsionit dhe financimit të paligjshëm në lidhje me financimin e supozuar nga ana e Libisë për kandiddaturën e tij të suksesshme presidenciale të vitit 2007. Sarkozy i mohon të gjitha akuzat. Nëse dënohet për çështjen e Libisë, Sarkozy mund të përballet me 10 vjet burg.

Paraardhësi i Sarkozy, Zhak Shirak, një koleg konservator, është i vetmi president tjetër në historinë moderne franceze që është dënuar nga një gjykatë. Shirak u shpall fajtor për korrupsion në vitin 2011, katër vjet pasi u largua nga detyra.