Dy grupe të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike janë goditur sot nga autoritetet policore.
Për pasojë janë vënë në pranga tre persona dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë.
Policia njofton se në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 2.3 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH me vlerën 45 000 euro, 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH, Drejtorinë e Hetimit Doganor, Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i veprimeve të kryera me metoda proaktive në kuadër të dy procedimeve për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kanë finalizuar 2 operacione për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 1” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale, u arrestua në flagrancë shtetasi Ermal Halili, 34 vjeç, banues në Elbasan, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2.3 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Elbasan, me vlerën 45 000 euro, 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë që u gjet në banesën e shtetasit E. D., shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 2” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale u arrestuan në flagrancë shtetasit: Bruno Lila, 19 vjeç dhe një shtetas 17 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. L., 18 vjeç dhe E. L., 18 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.7 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Tiranë, me vlerën 23 000 euro, shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.