“I gatshëm për të ndalur luftën. Operacioni në Ukrainë duhet të niste më herët” – Mesazhet e Putinit drejtuar vendit


Presidenti rus Putin ka organizuar sesionin vjetor të pyetje-përgjigjjeve me qytetarët e vendit. Pyetjet u përqendruan në çështjet e brendshme, ndërsa Inteligjenca Artificiale ndihmoi në përpunimin e mbi 1.7 milionë kërkesave.

Kreu i Kremlinit e mbajti konferencën e tij vjetore për shtyp të fundvitit në Moskë. Veprimtaria mblodhi gazetarë nga e gjithë Rusia si dhe korrespondentë të huaj. Pyetjet nga qytetarët u bënë përmes telefonatave, mesazheve me tekst, mediave sociale dhe një faqeje interneti të kushtuar  dhe arritën në mbi 2 milionë deri të enjten në mëngjes.

Për herë të parë, inteligjenca artificiale u përdor për të përmirësuar procesin. Temat me interes përfshinin infrastrukturën, kujdesin shëndetësor, strehimin dhe çështjet që lidhen me operacionet e vijueshme ushtarake të Rusisë. Putin ka mbajtur ngjarje të ngjashme çdo vit që nga viti 2001, me përjashtim të vitit 2022. Të njohura për kohëzgjatjen e tyre të gjerë dhe diskutimet e gjera, seancat nxjerrin në pah si prioritetet kombëtare ashtu edhe shqetësimet urgjente për qytetarët.

Është “e natyrshme” që Perëndimi të përpiqet të zvogëlojë ndihmën sovjetike në fitoren ndaj Gjermanisë naziste mes tensioneve gjeopolitike, pasi kjo politikë është vetëm një kënd tjetër për të sulmuar Rusinë, ka thënë Putin. Në të njëjtën kohë, Moska do mirëpresë të gjithë përfaqësuesit e vendeve të huaja, përfshirë ato perëndimore, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në 80-vjetorin e Ditës së Fitores në Rusi vitin e ardhshëm, shtoi ai.

Lufta në Ukrainë

I pyetur nëse ai do kishte ndryshuar vendimin e tij për të dërguar trupa në Ukrainë në shkurt 2022 nëse mund të kthehej pas në kohë, Putin u përgjigj me vendosmëri se Rusia duhet ta kishte bërë më herët. “Me këtë lloj njohurie paraprake, ne duhet të kishim filluar përgatitjet për këtë aksion, përfshirë operacionin special ushtarak,” tha ai.

Presidenti vuri në dukje se vendimi për të nisur fushatën ushtarake u mor pa shumë përgatitje, sepse Rusia “nuk mund ta toleronte më” sjelljen e Ukrainës, duke iu referuar qëllimeve të Kievit për të marrë armë bërthamore dhe kundërshtimit të tij të hapur për t’iu përmbajtur marrëveshjeve të Minskut tashmë të zhdukura, të cilat kërkuan që Donbasit t’i jepej një status të veçantë brenda shtetit ukrainas.

Putin e ka pranuar se dy vjet e gjysmë të luftës në Ukrainë kanë pasur çmimin e tyre te ai. Armiqësitë “kanë qenë një sfidë për të gjithë ne, për të gjithë vendin dhe për mua,” tha ai, duke shpjeguar se tani rrallë qesh apo bën shaka.

Një pjesë e gjatë e pyetjeve u përqendrua në luftën në Ukrainë, ku Putin tha se ai ishte “i hapur për kompromise” për t’i dhënë fund luftës – megjithëse ishte e paqartë se çfarë mund të përfshinin kompromise të tilla.

Duke e quajtur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, si “të paligjshëm”, Putin tha se ai ishte i gatshëm të takonte Donald Trump dhe të diskutonte propozimet e paqes për t’i dhënë fund pushtimit të tij në shkallë të plotë, por ai përsëriti qëndrimin e tij të ashpër se Moska do mbante kontrollin e Krimesë së bashku me katër rajone të Ukrainës që ai pushtoi në vitin 2022.

Putini u shfaq kryesisht optimist dhe i sigurt, ndërsa trupat, sipas tij vijojnë të bëjnë përparim të madh në Ukrainë.

“Gjendja në fushën e betejës po ndryshon në mënyrë drastike, me lëvizje që ndodh përgjatë gjithë vijës së frontit,” u mburr ai.

“Çdo ditë luftëtarët tanë po rimarrin territorin me kilometër katror.”

Ai tha se ushtria ruse po “përparonte drejt arritjes së qëllimeve tona” në atë që ai e quan operacioni special ushtarak në Ukrainë.

Putin tha në një moment se Moska ishte “gati për negociata dhe kompromise” për t’i dhënë fund luftimeve, por më vonë ai vuri në dukje një pozicion maksimalist që do të përfshinte mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO, miratimin e një statusi asnjanës dhe kalimin e një niveli të çmilitarizimit, duke kërkuar gjithashtu që perëndimi të heqë sanksionet kundër Rusisë.

Forcat ruse po bëjnë përparim në vijën e frontit “çdo ditë”, tha ai, duke i përshkruar trupat e tij si “heronj”.

Falja e Joe Biden për të birin

I pyetur pse nuk e kishte komentuar vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të falur djalin e tij Hunter – i cili ishte deklaruar fajtor për akuzat tatimore dhe ishte shpallur fajtor si përdorues i paligjshëm droge dhe armëmbajtje pa leje, pavarësisht se më herët kishte premtuar se nuk do ta bënte këtë – Putin vërejti: “Shpesh thuhet se heshtja është e artë”.

Biden është “një politikan”, vazhdoi presidenti.

“Është gjithmonë e rëndësishme nëse ai është më shumë politikan apo më shumë qenie njerëzore. Rezulton se ai ishte më shumë një qenie njerëzore. Nuk do ta dënoj për këtë.”

Mediat sociale

I pyetur nëse Rusia duhet të vendosë një ndalim të plotë të faqeve pornografike, Putin e renditi këtë çështje midis pyetjeve shumë të brishta.

“Kudo në botë shihe porno. Është si të porosisni një biftek. Ky problem ekziston kudo.”

Sipas Putinit, i vetmi ilaç i vërtetë është ofrimi i një alternative për pornografinë, e cila do i tërhiqte më shumë njerëzit.

“Kështu që një person hedh një vështrim në një faqe interneti pornografike dhe thotë: ‘Jo, unë e kam parë tashmë këtë. Unë dua diçka tjetër,” tha ai, duke shkaktuar të qeshura.

Pyetjet në lidhje me ngadalësimin e YouTube në Rusi duhet t’i drejtohen Google, dhe jo autoriteteve ruse, pasi sanksionet perëndimore kanë ndërhyrë në dërgesat e pajisjeve, ka thënë Putin. Ai shtoi se platforma video duhet t’u përmbahet ligjeve ruse dhe të ndalojë së shtyrë më tej qëllimet politike të qeverive perëndimore.

Marrëdhëniet me ish-krerët botërorë

I pyetur se me cilët krerë të vdekur botërorë do donte të pinte çaj, Putin tha se kishte kujtime shumë të ngrohta për ish-kancelarin gjerman Helmut Kohl, ish-presidentin francez Jacque Chirac dhe ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi.

Ai e përshkroi Kohl-in, i cili mbikëqyri ribashkimin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, si “një figurë ndërkombëtare”.

“Disa nga bisedat tona ishin interesante. Ato ishin të dobishme për mua,” tha ai.

Sipas Putinit, Chirac ishte gjithashtu një udhëheqës “interesant” dhe një “enciklopedi lëvizëse” me opinione të përcaktuara qartë.

“Kam mësuar shumë prej tij…Ai ishte i ngrohtë në komunikim dhe energjik,” tha ai.

Putin vijoi të lavdërojë Berlusconin për trashëgiminë e tij të përmirësimit të marrëdhënieve ruso-italiane.

“Të gjithë ata dhanë një ndihmë të rëndësishme në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe…Ata ishin personalitete me opinionin e tyre…,që kërkonin të forconin sovranitetin e vendeve të tyre”, shtoi presidenti.

Lufta në Palestinë e Siri

Putin përsëriti mbështetjen e Rusisë për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit palestinezo-izraelit, i cili u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Izraeli është krijuar, por Palestina në thelb nuk është krijuar. Ky është thelbi i problemit. Përveç kësaj, Izraeli vijon të ashtuquajturat veprimtari të vendbanimeve të paligjshme”, tha ai, duke iu referuar komuniteteve në Bregun Perëndimor dhe Lartësitë Golan.

Ai e quajti gjithashtu Izraelin përfituesin kryesor të trazirave në Siri.

“Rusia dënon çdo pushtim të territorit sirian. Shpresojmë që Izraeli përfundimisht të tërhiqet nga Siria, por tani po dërgon trupa shtesë atje.”

I pyetur për rënien e regjimit të Assadit në Siri, Putin këmbënguli se kjo nuk ishte një disfatë për Kremlinin – i cili mbështeti ushtarakisht Presidentin Bashar al-Assad për vite me radhë – por ai pranoi se ajo që ndodhi ishte “e ndërlikuar”.

Ai tha se nuk kishte folur ende me udhëheqësin e rrëzuar sirian, i cili iku në Moskë pasi forcat rebele morën Damaskun në fillim të këtij muaji, por planifikon ta bënte këtë së shpejti.

Putin shtoi se Rusia ishte në bisedime me sundimtarët e rinj të Sirisë për të mbajtur dy baza ushtarake të rëndësishme strategjike në bregdetin e Mesdheut dhe se Moska do të konsideronte përdorimin e tyre për qëllime humanitare.

Raketa balistike Oreshnik

Presidenti rus sugjeroi që ekspertët perëndimorë mund të zgjedhin një objektiv në Kiev, të grumbullojnë sistemet e tyre të mbrojtjes në një vend dhe të përpiqen të zmbrapsin një sulm nga sistemi i ri raketor hipersonik i Moskës Oreshnik.

Kisha Ortodokse në Ukrainë

Putin e përshkroi goditjen ndaj Kishës Ortodokse të Ukrainës – të cilën Kievi e akuzon për lidhje me Moskën – si “një shkelje të paparë dhe të hapur të të drejtave njerëzore dhe fetare”.

“Ata po copëtojnë kishën ndërsa bota shikon. Është si një ekzekutim. Dhe e gjithë bota preferon të mbyllë një sy.”

Ai denoncoi presidentin ukrainas dhe rrethin e tij si njerëz që nuk besojnë në asgjë, nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarët e zakonshëm dhe janë të gatshëm të largohen nga vendi në çdo kohë.

Rusia e tij

Kur u pyet nëse mendonte se vendi ishte në një gjendje më të mirë se e kishte lënë paraardhësi i tij, Boris Yeltsin 25 vjet më parë, Putin tha se Rusia kishte rifituar “sovranitetin” e saj.

“Me gjithçka që po i ndodhte Rusisë më parë, ne po shkonim drejt një humbjeje të plotë, totale të sovranitetit tonë.”

Marrëdhënia me Trump

Në lidhje me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, Putin tha se nuk kishte folur me të për katër vjet, por ai ishte gati ta takonte atë “nëse ai dëshironte”.

Kina

Duke kaluar te Kina, Putin tha se marrëdhëniet e Rusisë me fqinjin e saj lindor kishin arritur një kulm historik dhe dy vendet po bashkërendonin veprimet në skenën botërore.

“Në dekadën e fundit, niveli dhe cilësia e marrëdhënieve tona kanë arritur një pikë që nuk ka ekzistuar kurrë gjatë gjithë historisë sonë,” tha ai.

Katër rajonet e pushtuara në Ukrainë

Ai foli gjithashtu për projektet e ndërtimit të Rusisë në zonat që ajo ka marrë nga Ukraina, duke pretenduar se standardi i rrugëve në rajonin ukrainas të Luhansk ishte përmirësuar shumë që kur u kap nga forcat e mbështetura nga Rusia në 2014.

Doktrina bërthamore

Kur u pyet nga një person në sallë nëse Perëndimi kishte “marrë mesazhin” për ndryshimin e doktrinës bërthamore të Rusisë, të cilën Putin e bëri në nëntor, ai tha “ju duhet t’i pyesni ata”.

Doktrina e re bërthamore i lejon Rusisë të kryejë një sulm bërthamor ndaj çdo vendi, nëse mbështetet nga një fuqi bërthamore.

Kjo do të thotë nëse Ukraina do nisë një sulm të madh ndaj Rusisë me raketa konvencionale, drone ose avionë, kjo mund të përmbushë kriteret për një përgjigje bërthamore, siç mund të mund të ishte një sulm ndaj Bjellorusisë ose ndonjë kërcënim kritik ndaj sovranitetit të Rusisë.

Putin theksoi gjithashtu aftësitë e raketës së re balistike me rreze të mesme veprimi të Rusisë, “Oreshnik”, e cila u përdor në një sulm në Ukrainë në nëntor.

Për të provuar fuqinë e saj, ai sugjeroi se Rusia duhet të gjuajë të tjera “Oreshnik” drejt Ukrainës dhe mbrojtja ajrore e Ukrainës – duke përdorur sistemet e furnizuara nga SHBA – të përpiqet ta rrëzojë.

Ai tha se ekonomia ishte “e qëndrueshme”, duke treguar rritje më të lartë se vendet si Gjermania, por pranoi se inflacioni prej 9.1% ishte “shqetësuese”.

VINI RE: Ky material është pronësi  intelektuale e BBC, The Guardian  dhe RT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani