Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kërkon votimin e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Balla: Arrestove Adem Jasharin


Kreu i PD-së, Sali Berisha, kërkoi ditën e sotme në Kuvend që të votohet rezoluta e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë.

Berisha tha se nëse nuk votohet rezoluta e dënimit të gjenocidit deputetët që do shkojnë në takimin dypalësh, mes deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë në Kosovë, do jenë si përfaqësues të Serbisë.  

Votoni sonte rezolutën e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë, në mënyrë që të shkoni nesër si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e shëmtuara!

Meqënëse edhe në mëngjes e ngrita para mediave, tani thashë ta shtroj edhe në parlament. Të ndërprisni menjëherë punimet, të sillni këtu rezolutën për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë, se përndryshe ulja juaj në parlamentin e Kosovës është më e largët si përfaqësues të Shqipërisë dhe më e afërt si përfaqësues të Serbisë.

Sepse, ju keni refuzuar rezolutën. Votoni sonte rezolutën e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë, në mënyrë që të shkoni nesër si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e shëmtuara.

Unë, po ju them ju këtu, që në librat e gjenocidit ato janë të përshkruara si krimet më të padëgjuara ndonjëherë në histori, dhe ju e hidhni poshtë këtë.

Prandaj, zonjë, çfarë të të them unë ty. Merr, silleni rezolutën ta votoni. Të votoni një ndjesë publike për sanksionet që i vutë Kosovës të parët në Europë.

Të votoni një ndjesë publike për ndalimin që i bëtë himnit për Adem Jasharin “Mora fjalë”, dhe u fsheh pastaj se zëvendësuan me një këngë shumë të bukur, nuk e mohoj, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, për Shqipërinë, por nuk zëvendësohej se, ajo e zuri vendin.

Shkurte Fejzën e ftuan, ishte në stadium dhe tani u erdhi telefoni i kuq nga Beogradi dhe e hiqni ju atë. Si do shkoni ju atje?

Hidhe në votë propozimin tim. Moj zonjë, hidhe në votë propozimin tim, kaq. Jeni dakord, të ndërpresim seancën dhe të sjellim rezolutën, apo s’jeni dakord? Këtë kërkoj unë!”, tha Berisha.

Pas deklaratës së Berishës ka reaguar Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla i cili hodhi akuza ndaj Berishës që e cilësoi se ka çeduar në pozicionin mbrojtës për Kosovës.

“Dua të komunikoj me publikun fakte historike. në këto 33 vite ps sa herë që ka qënë në shumicë apo pakicë me votën e popullit shqiptar nuk ka çeduar asnjëherë sa i përket pozicionit në mbrojtje të çështjeve tona kombëtare. Janë 8 rezoluta dhe deklarata sa i takon genocidit dhe çdo lloj forme krimi ndaj vëllezërve dhe motrave tanë në Kosovë” tha Balla.

“Në 25 janar të vitit 2011 kanë qenë përfaqësuesit e PD në asamblenë e Këshillit të Europës që bashkuan votat me propozimin e Rusisë për atë që pasoi që ishte një përpjekje e poshtër për të hedhur baltë mbi luftën çlirimtare” tha Balla duke rikujtuar se PS dhe Idrizi votuan kundër ndërsa 3 votat e PD shkuan për draftin e Kosacevit, ai që sot është zv/kryetar të komitetit të sigurisë kombëtare të Rusisë. Ju historikisht nuk keni qenë në krahun e duhur të historisë” u tha ai deputetëve opozitarë.

Balla i përmendi Berishës deklaratat kundër Hashim Thaçit dhe arrestimin e Adem Jasharit.

Nuk është rastësi që qoftë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës u zhvilluan pas vitit 2013 dhe mbledhjet e përbashkëta të kuvendit të Shqipërisë dhe të kuvendit të Kosovës me kryetar kuvendi të kësaj shumice. Prandaj populli e di mirë çfarë kontributi ka PS gjatë viteve ’98- ’99 çfarë kontributi kanë ata që kur udhëheqësit e UÇK shkonin në Rambuje dikush udhëhiqte protesta kundër qeverisë këtu dhe kundër Rambujesë dhe kush i thoshte Hashim Thaçit bashkëpunëtor i Serbisë dhe me fjalë të tjera më të poshtra antishqiptare. Adem Jasharin e keni arrestuar ju këtu në Tiranë”, iu drejtua Berishës Balla.

Ai u shpreh në fund se lajmet rreth ndalimit të këngës Mora Fjalë në stadium janë hedhur poshtë nga Federata e Futbollit dhe është e pavërtetë.