Vendosni fjalën kyçe....

Rama për masat e reja: Do ketë ferma në shkollë, domaten nuk e nxjerr TikTok-u


Gjatë një takimi me prindërit dhe mësuesit për prezantimin e planit të ri të masave për sigurinë në shkolla, Kryeministri Edi Rama njoftoi disa iniciativa të reja që do të përfshijnë fëmijët në gjithë Shqipërinë.

Rama theksoi se po punohet për një program që do t’u mundësojë fëmijëve të shtruar në spital të vazhdojnë mësimin, duke ndjekur një model të ngjashëm me atë të Izraelit.

Një tjetër nismë është plani i fermës në shkolla, ku fëmijët do të mësojnë për prodhimin e ushqimeve dhe do të kuptojnë se domatja nuk prodhohet në TikTok.

Kryeministri tha se ky program do të jetë një bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Bujqësisë, me synim edukimin e fëmijëve për punën dhe rëndësinë e zhvillimit të aftësive praktike.

Rama gjithashtu njoftoi ndërtimin e një instituti për fëmijët në konflikt me ligjin, që do të jetë një model europian i riedukimit, për të ndihmuar fëmijët që kanë kryer vepra të ndryshme, të riedukohem dhe të rifillojnë një jetë të re.

“Ndërkohë që ajo çka është e rëndësishme të dihet është që ne po e shtrijmë punën për fëmijët edhe në institucionet e tjera, jashtë gjithë asaj që u diskutua dhe do e kthejmë në një sistem pune e financimi, që çdo institucion në Shqipëri duhet të ketë programin e vetë për fëmijët.

Ne ndërkohë jemi duke ndërtuar në spitalin pediatrik një program për të çuar shkollën te fëmijët.

Pra fëmijët në spital të kenë mundësinë për të bërë shkollë, që është një model i shkëlqyer i marrë nga Izraeli dhe që po e përgatisim me miqtë nga Izraeli.

Po përgatisim institutin e fëmijëve në konflikt me ligjin, një institut që është një model europian, një model i shekullit të ri, një model i shkollës së riedukimit, për të gjithë ata fëmijë që kanë kryer një vepër, që nëse s’do të ishin minoren, do të ishin në burg.

Ky institut është një projekt, ashtu si kundër programi i fermës në shkollë që e kemi nisur.

Duhet të bëhet dhe do të bëhet një program i Ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, që është një program i prodhimit dhe shitjes së produkteve, që fëmijët të kuptojnë që domatja nuk prodhohet në TikTok.

Për të gjithë atje, Ministria e Mbrojtjes do të ketë një program të dedikuar për fëmijët. Policia e shtetit gjithashtu. Është shumë e rëndësishme që ne fëmijët t’i lidhim me jetën reale, që fëmijët të përfshihen ta kenë jetën reale përpara syve.”