Vendosni fjalën kyçe....

Senati amerikan miraton projektligjin për financimin e qeverisë, shmang mbylljen


Kongresi amerikan miratoi legjislacionin e shpenzimeve në  orët e para të së shtunës duke shmangur një mbyllje të qeverisë para sezonit të ngarkuar të udhëtimeve të festave.

Senati i kontrolluar nga demokratët me një votim 85-11 miratoi projektligjin për të vijuar financimin e qeverisë 38 minuta pasi afati skadoi në mesnatë. Qeveria nuk i thirri procedurat e mbylljes së përkohshme.

Projektligji tani do t’i dërgohet Shtëpisë së Bardhë, ku presidenti Joe Biden pritet ta nënshkruajë atë në ligj.

Votimi i natës vonë mbylli një javë të furishme që pa presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe aleatin e tij miliarder Elon Musk të rrëzojnë një marrëveshje fillestare dypartiake, duke e çuar Kongresin në rrëmujë.

Projektligji përfundimtar hoqi disa dispozita të mbrojtura nga demokratët, të cilët akuzuan republikanët se iu nënshtruan presionit të një miliarderi të pazgjedhur, i cili nuk ka përvojë në qeveri.

Kongresi nuk veproi në bazë të kërkesës së Trump për të rritur tavanin e borxhit, një detyrë e vështirë politikisht, përpara se ai të marrë detyrën më 20 janar.

Qeveria federale shpenzoi afërsisht 6.2 trilion dollarë vitin e kaluar dhe ka më shumë se 36 trilion dollarë borxh, dhe Kongresi do duhet të veprojë për të autorizuar huamarrje të mëtejshme nga mesi i vitit të ardhshëm.

Legjislacioni do zgjasë fondet e qeverisë deri më 14 mars, do sigurojë 100 miliardë dollarë për shtetet e goditura nga fatkeqësitë dhe 10 miliardë dollarë për fermerët dhe do zgjasë programet e ndihmës për fermat dhe ushqimin që do skadojnë në fund të vitit.

Disa republikanë votuan kundër paketës sepse ajo nuk shkurtoi shpenzimet. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson tha se partia do ketë më shumë ndikim vitin e ardhshëm, kur të ketë shumicën në dy dhomat e Kongresit dhe Trump të jetë në Shtëpinë e Bardhë.

“Ky ishte një hap i domosdoshëm për të kapërcyer hendekun,” u tha ai gazetarëve pas votimit të Dhomës. Ai tha se Trump e mbështeti paketën.