Vendosni fjalën kyçe....

Si e shfrytëzoi Rama vrasjen e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari për të mbyllur TikTok-un


Ditën e djeshme kryeministri Rama, njoftoi se do mbyllte TikTok-un në Shqipëri për një vit duke nisur nga janari 2025. Lëvizja e beftë e kryeministrit pasoi disa takime me prindër e mësues në disa shkolla pas ngjarjes së rëndë të 18 nëntorit ku 14-vjeçari Martin Cani u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëmoshtari i tij Mario Përlleshaj.

Ndërkohë që vrasja nxiti reagime të shumta në rrjetet sociale dhe protesta para Ministrisë së Arsimit nga prindërit e viktimës e prindër të nxënësve e qytetarë, kryeministri Rama tregoi me gisht TikTok-un, si rrjetin social që nxiste dhunën mes adoleshentëve. Ai njoftoi se do zhvillonte një tur bisedimesh me prindër e mësues lidhur me rrjetin social në fjalë për të shqyrtuar mundësin e mbylljes së tij.

Ndërkohë që prindërit e 14-vjeçarit që humbi jetën kanë akuzuar Ministrinë e Arsimit dhe drejtuesit e shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë se kanë përgjegjësi në vrasjen e djalit të tyre, kreu i qeverisë e shfrytëzoi momentin për të mbyllur TikTik-un që hedh dyshime mbi arsyet e kësaj mase.

TikTok është vetëm një nga rrjetet sociale në qarkullim, ndërsa vlen të theksohet se sipas kompanisë kineze, dy adoleshentët e përfshirë në sherrin që çoi në vrasjen e 14-vjeçarit, nuk kishin  llogari aty. Kompania kërkoi shpjegime nga qeveria shqiptare për mbylljen e TikTok duke pretenduar se videot që mund të kenë nxitur përplasjen mes adolshentëve ishin publikuar në një tjetër rrjet social.

Në vend janë raportuar herë pas here zënka ose përlasje mes të rinjve pas mesazheve të shkëmbyera në rrjetet sociale. Mes tyre janë raportuar përplasje që kanë nisur pas postimeve apo mesazheve në Facebook, Instagram e Snapchat. Sipas logjikës së vendimit të Ramës, do duhej që qeveria të mbyllte edhe këto rrjete sociale si nxitës dhune.

Pas vendimit që pritet të hyjë në fuqi në janar, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, reagoi ashpër duke shkruar se vendimi në fjalë bëhet për shkak të zgjedhjeve të 11 majit, pesë muaj para tyre e për të fshehur përgjegjësinë e kryeministrit Rama për degradimin e shkollave, mungesën e programeve edukative e kulturore për të rinjtë e mungesën e sigurisë në shkolla e rrugë.

Përfaqësues të opozitës reaguan pas vendimit duke theksuar se Rama vendosi ta mbyllë TikTok-un pasi është i vetmi rrjet social të cilin e kontrollon e censuron dot.

TikTok përdoret prej kohësh gjerësisht në mbarë botën. SHBA-ja, Kanadaja e shumë vende të Evropës e kanë ndaluar atë në telefonat e punës së punonjësve të administratës apo shërbimeve të sigurisë. Bllokime të plota të TikTok dei tani përdorin Koreja e Veriut, Irani, India,Uzbekistani, Kirgizstani e Afganistani.  /Hashtag.al