Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ndaj protestës së opozitës që do të zhvillohet sot në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka kritikuar bllokimin e rrugëve në kryeqytet, duke theksuar se ky veprim është kundër interesit të qytetarëve.
Braçe e ka krahasuar protestën e opozitës me sulmet ekstremiste në tregjet e Krishlindjeve, duke theksuar se bllokimi i Tiranës një ditë para festave të Krishlindjeve do të shkaktojë vuajtje dhe panik për qytetarët.
Ai ka shtuar se ky akt është një shenjë e urrejtjes ndaj atyre që nuk mbështesin opozitën dhe duan të jetojnë pa pengesa në qytet.
‘Tirana do ta ketë ditë vuajtje sot, bashkë me të, të gjithë ata që vijnë e ikin në këtë qytet, të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, punojnë këtu, duan të kryejnë nevojat e tyre, përfshi nevojat e tyre jetësore në këtë qytet!
Të bllokosh Tiranën, nuk është interes publik, është kundër interesit publik! Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes e në orët e pasdites, është mu si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes për të dëmtuar, krijuar panik, trembur!
Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes, një festë që e festojnë të gjithë bashkë, pa ndarje e në paqe me njëri tjetrin, është thjesht mllef e urrejtje ndaj njerëzve normale që nuk të bëhen pjesë, nuk të mbështesin, duan të mbetet normale në këtë qytet’, thotë ai.