Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e opozitës, Berisha i pranishëm pas një viti mungesë, zbardhet skenari


Opozita do të vijojë sot mosbindjen civile me protestën e thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të nisë në orën 17:00.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, pritet të bashkohet me protestuesit për herë të parë pas gati një viti, pasi më 27 nëntor 2024, Gjykata e Posaçme i ka rikthyer lirinë, duke revokuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” lidhur me dosjen e aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”.

Për shkak të protestës, disa rrugë në Tiranë do të bllokohen, përfshirë: Rrugën pranë Bashkisë, rreth-rrotullimi tek “Zogu i Zi”, sheshin “Wilson”, “Pallatin me Shigjeta” dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”. Protesta e fundit e opozitës u mbajt më 26 nëntor dhe paralizoi disa nga nyjet kryesore të qytetit.

Organizatorët e protestës kanë njoftuar Policinë e Tiranës se do të bllokojnë disa akse për rreth 3 orë. Në përgjigje, Policia ka theksuar se garanton çdo tubim paqësor, por jo bllokimin e rrugëve, duke paralajmëruar se çdo akt i tillë përbën përgjegjësi penale.

Policia shprehet se organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore krijon probleme për rendin publik, pengon lëvizjen e automjeteve të emergjencës dhe transportit publik, dhe cënon të drejtat e qytetarëve për lëvizje të lirë.

Për mbarëvajtjen e rendit gjatë protestës, do të përdoren forca të rendit, Shqiponjat dhe FNSH, si dhe autobote me ujë për të shpërndarë protestuesit në rast nevoje.