Vendosni fjalën kyçe....

Berisha premton rihapjen e TikTok-ut: Rama s’është konsultuar me askënd


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar kundër vendimit të qeverisë për të mbyllur rrjetin social TikTok në Shqipëri, duke e përfshirë atë në premtimet e tij elektorale. Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama nuk është këshilluar me askënd dhe nuk ka marrë parasysh mendimin e të rinjve, të cilët janë përdoruesit kryesorë të platformës.

Në një deklaratë të fortë, Berisha theksoi se pas zgjedhjeve të 11 majit, një nga hapat e parë të PD-së do të jetë hapja e TikTok përfundimisht. Ai kritikoi qeverinë për censurimin e lirisë së fjalës dhe e krahasoi vendimin e Ramës me metodat e përdorura nga Enver Hoxha duke e cilësuar vendimin si një “dënim të fjalës së lirë”.

Berisha theksoi se TikTok është një platformë që nuk prodhon “rrugaçëri” siç pretendon Rama, por se ai vetë është “kryebullisti dhe kryemizogeni i vendit”. 

Deklarata e Berishës:

Çështja e dytë që unë do të sillja këtu në emër të PD është një çështje themelore, që ka të bëjë me lirinë e fjalës.

Çdo censor, i çdo natyre qoftë, ai është një xhelat i fjalës së lirë.

Edi Rama, njëlloj sikundër i ati, vari në vitin 1988, poetin disident Havzi Nela për vargjet e tij, Edi Rama vendosi të dënojë me vdekje TikTokun.

Dhe narkodiktatori shpalli këtë vendim se e bazonte në 1300 konsultime, lexoni 1300 mashtrime, në takime me 63 mijë prindër, lexoni me 63 mijë trillime.

U rikthye tek metodat më banale të etërve të tij, Enver Hoxha dhe Kristaq Rama, përdori pretekste absurde pa asnjë lidhje me vrasjen e të ndjerit Martin Cani në shkollën Fan Noli.

Kërkon pra me çdo kusht të gjejë argumente për të mbyllur këtë rrjet, këtë platformë, e cila ka meritën e veçantë, njëlloj si Twitter, pasi u ble nga Elon Musk, të mos aplikojë censurën.

TikTok është një platformë, e cila nuk prodhon rrugaçëri siç pretendon Edi Rama.

Rrugaçëria në TikTok penetrohet nga të tjerë që i indukton Edi Rama me sjelljet e tij të kryebullistit të vendit.

Në qoftë se bullizmi është një fenomen problematik dhe i dënueshëm, kryebullisti dhe kryemizogeni i vendit është Edi Rama.

Por informoj se ky akt prej xhelati të fjalës së lirë, sikur të ishte i biri i Sadam Hyseinit apo vëlla i Asadit, ka një arsye strikt karrigen dhe pushtetin e tij.

Sepse në qoftë se manipulon gjerësisht mediat, manipulon gjerësisht sondazhet dhe pollet, nuk manipulon dot TikTokun dhe rrjetet e tjera sociale.

Ndaj dhe ai ka shprehur në mbledhjet e brendshme shqetësimin e madh për dominimin e opozitës në këto rrjet.

Tani unë u sjell ju këtu të dhënat e fundit mbi raportet e PD dhe partisë së krimit me TikTokun.

Sipas një kompanie shumë serioze të studimit. PD dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime sepse këtu nuk mund të censurohet.

Ja ku e keni. Është pikërisht ky shkaku, tmerri nga suksesi, nga pëlqyeshmëria e lartë publike e opozitës në TikTok dhe mediat sociale, e cila përmbys të gjithë piramidën e mashtrimit të tij të bazuar në mediat konvencionale dhe pollet e përditshme që bën.