Po zhvillohet aktualisht mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku po diskutohet kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me projektin e Portit të Durrësit.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka theksuar se kjo kërkesë është një çështje me interes publik dhe se transparenca është e detyrueshme për të zbardhur aferën korruptive që përfshin qindra milionë euro.
Bardhi shpjegoi se është e domosdoshme të hetohet falja e tokës publike bashkë me portin tek një kompani private dhe ndërtimi i një porti të ri.
Bardhi gjithashtu reagoi ndaj pretendimeve për ndalimin e hetimeve, duke theksuar se nuk ka asnjë vendim nga Gjykata Kushtetuese që ndalon hetimet parlamentare për këtë çështje.
“Kërkesa për komision hetimor është çështje konkrete. Një afere korruptive qindra milion euro. Faljen e tokës publike bashke me portin tek një firme private dhe ndërtimi i një porti te ri. Objekti i hetimit është konkret dhe puna e kuvendit është pikërisht kjo.
Është çështje e interesit publik dhe ne e kemi detyre te bëjmë transparence. Aty mund te jene para te pista qe po investohen dhe kuvendi ka te drejte te hetoje, sic ka te drejte te kontrolloje prishjen e te gjitha marrëdhënieve kontraktuale te meparshme.
Kuvendi ka te drejte te hetoje edhe se ca po ndodh me portin e ri. Na u tha qe do jete me fature zero nga buxheti i shtetit sot na thuhet do të kushtojë 1 miliard.. nuk ka asnjë vendim te Gjykates Kushtetuese, ku thuhet se në qofte se çështja është ne Strasburg nuk mund te kete hetim parlamentar.
E kunderta është thënë. Gjithashtu i dashur koleg ti lexon gjera qe si kupton se keshtu ti kanë dhënë. Nuk ka asnje opinion te venecias per kete ceshtje sic ti pretendon.
Ne cdo vendim thuhet se Kuvendi ka rol kontrollues dhe duhet te beje kujdes qe te mos ketë mbivendosje kompetencash”, tha ai.
‘K Ë R K O J M Ë:
1. Ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit për Kontrollin e Ligjshmërisë në Procedurat e (i) Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o.; dhe (iii) Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano.
2. Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij: (i) shqyrtimin e të gjitha problematikave lidhur me miratimin e projektit “Marina e Durrësit & Jahtet”, prishjen e kontratës me kompaninë gjermane EMS dhe shitjen e koncesionit te kompania kroate Schapha d.o.o., si dhe projektimin e ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano; dhe ii) vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, barazisë, konkurrencës, meritokracisë, eficencës ekonomike, mbrojtjes së pronës publike dhe ruajtjes së buxhetit të shtetit në të gjitha kontratat publike që angazhohet qeveria shqiptare.
3. Komisioni do të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
4. Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 6-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi.
5. Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.’, thuhet në kërkesën e PD-së.