Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO kërkoi ashpërsim të akuzave për Ilir Beqajn, Berisha: Është meritë e një opozite që s’do të ndalojë kurrë


Gjykata e Posaçme ka kërkuar sot ashpërsimin e akuzave për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për aferën e sterilizimit. GJKKO ka kërkuar rikualifikimin e akuzës ndaj Beqajt, duke e akuzuar tani për “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje”.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar këtë zhvillim në konferencën e tij të përditshme, duke theksuar se kjo është merita e opozitës dhe e qytetarëve që kanë protestuar dhe mbështetur aksionin opozitar. Sipas tij, opozita po zbërthen një nga një “kriminelët dhe anëtarët e organizatës kriminale” të lidhur me këtë aferë.

Berisha ka lavdëruar qytetarët për rolin e tyre në detyrimin e prokurorisë të veprojë, duke theksuar se pa protestat dhe mbështetjen e qytetarëve, personazhe si Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj do të kishin mbetur të paprekur.

Ai theksoi gjithashtu se, përmes presionit të opozitës, ata do të përballen me pasojat e veprimeve të tyre dhe se vjedhjet e mëdha, si ato të inceneratorëve dhe sterilizimit, nuk mund të mbyllen.

Berisha: Nderim të madh qytetarëve protestues që po bëjnë në mënyrën më të shkëlqyer prokurorin publik, që po vejnë me shpatulla për muri, gangsterë dhe anëtarë të organizatës kriminale të Skapit të partisë. Kjo është përgjigja ime për pyetjen tuaj.

Të jesh i sigurtë se po të mos qe kjo opozitë, po të mos qenë qytetarët me protestën e tyre, Erion Veliaj do të hynte jo nga dera e halesë në selinë e PS-së, por do të hynte ballore dhe me 30 roje i shoqëruar. Edhe Beqja i partisë do të tallej me publikun.
Por kjo opozitë po i zbërthen një nga një, ata dhe anëtarët e organizatës kriminale.

Pa më thoni pak, çfarë ka dalë e re o miq! Që ditën e parë kur kanë marrë dosjen e sterilizimit është vërtetuar se Ilir Beqaj ka 7 firma në proces dhe se është njëshi i atij procesi. Por që nuk mund të vihej në epiqendër, sepse prap tij qëndronte Edi Rama që vraponte si injorant nga studio në studio dhe thoshte, ja me se operojnë, tregonte gjysëm gërshërë dhe gjysëm pince, duke harruar se me to nuk mund të operohet kurrë.

Këto dhe ato që ndodhin me Erion Veliajn, janë merita të një opozite që nuk rreshti kurrë dhe nuk do të rreshtë kurrë, gjersa ata të shkojnë bashkë me Edi Ramën në qeli.

Nuk i mbyll dot kush dy vjedhjet e mëdha të shekullit. Vjedhjen e parë, të inceneratorit. Vjedhjen e dytë, sterilizimin. Nuk ka forcë në botë që mund ti mbyllë ato. Kurrë. Ata janë të pambyllshme. E di ç’bëjnë ata. Rrinë e falsifikojnë dosje. Do ti sjell këtu dhe çdo gjë në kohën e vet, kohën e duhur.

Si mund të gjykohet Ilir Beqaj për 130 mijë euro që kishte porositur bashkë me ministren e Turizmit të njëjtën darkë dhe në të njëjtin lokal. Se kanë qenë miqtë e ministres së Kulturës, ku ka shtruar ajo darkën, por Beqaj ka vrapuar të marrë paratë te donatorët për të paguar darkën. Për ti vjedhur 130 mijë.

Dhe këtu që ishin 100 milionë të shqiptarëve, këtu nuk prekej. Gjykatësi e ka bërë këtë, gjykatësi është në përputhje me ligjin, natyrisht i vonuar, pasi dosja ka 1 vit e gjysëm aty. Ka një meritë të veçantë komisioni i fundit parlamentar që e riktheu bëri një replay të të gjithë çështjes së sterilizimit, emisionet televizive.

Pra beteja e opozitës për transparencë po gozhdon edhe anëtarët e organizatës kriminale Skap dhe po i detyron që të kuptojnë se do të gjykohen, do të gjykohen me rreptësinë më të madhe për këto krime që kryejnë me dosjet e tyre. Do të gjykohen shumë rëndë.