Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka thënë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të ndalojë kritikat e tij “të padrejta” ndaj kancelarit gjerman Olaf Scholz lidhur me kundërshtimin e Berlinit për të furnizuar Kievin me raketa me rreze të gjatë Taurus.
Gjermania ka qenë një nga aleatët më të mëdhenj të Ukrainës që nga pushtimi i plotë i Rusisë në vitin 2022. Berlini është i dyti pas SHBA-së për sa i përket mbështetjes financiare dhe ushtarake dhënë Kievit, por ngurrimi i saj për të ofruar raketa Taurus ka qenë një mollë sherri me Zelensky-n.
“Unë i kam thënë shpesh Zelensky-t se ai duhet të ndalojë së kritikuari Olaf Scholz-in sepse mendoj se është e padrejtë,” i tha Rutte agjencisë gjermane të lajmeve DPA në një intervistë të botuar të hënën.
Ndërsa Franca, Britania dhe SHBA-ja në muajt e fundit i kanë dërguar Kievit armë me rreze më të gjatë, të afta për të goditur thellë brenda territorit rus, Scholz ka kundërshtuar kërkesat e Zelensky-t për raketat Taurus nga frika e “një rreziku të madh të përshkallëzimit” me Rusinë.
Rutte tha se ndryshe nga Scholz, ai do e furnizonte Ukrainën me raketat dhe nuk do vendoste asnjë kufizim në përdorimin e tyre.
“Në përgjithësi, ne e dimë se aftësi të tilla janë shumë të rëndësishme për Ukrainën,” tha Rutte në intervistë, duke shtuar se nuk i takon atij të vendoste se çfarë saktësisht duhet të jepnin aleatët.
Zelenskyy kritikoi publikisht Scholz-in muajin e kaluar për një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se kishte hapur një “kuti të Pandorës” dhe se po minonte përpjekjet për të izoluar Moskën dhe për t’i dhënë fund konfliktit me një “paqe të drejtë”.