Vendosni fjalën kyçe....

“Deputeti Gjekmarkaj nuk u dhunua, nuk u ndje mirë gjatë protestës” – Policia përgënjeshtron Berishën


Drejtori i policisë së Tiranës Elton Alushi

Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar kreun e PD-së Berisha lidhur me akuzat e tij se efektivë policie kishin dhunuar deputetin e PD-së Agron Gjekmarkaj.

Në një deklaratë zyrtare, policia thekson se Gjekmarkaj nuk është dhunuar po nuk është ndjerë mirë gjatë protestës duke u larguar më pas.

Në deklaratë thuhet më tej se deputeti Noka ka shtyrë dhe fyer policinë që po përpiqej të lironte rrugën për qytetarët dhe mjetet.

Në fund deklarata thotë se policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë personat që kanë bllokuar rrugën apo kanë kundërshtuar efektivët duke shkelur ligjin dhe do i çojë për procedim.

“Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë. Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta. Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit. Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.”