Vendosni fjalën kyçe....

“U thashë policëve që jam nënkryetari i Kuvendit, më shtypën në gjoks dhe mbeta pa frymë” – Gjekmarkaj


Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj tha se policët e kishin shtypur në gjoks dhe kishte mbetur pa frymë para se ta shtynin, raporton Top Channel.

Ai denoncoi veprimet e policisë teksa bisedoi me kreun e PD-së Berisha i cili shkoi për ta vizituar në spitalin e Traumës, ku demokrati u dërgua fillimisht.

Pas një qëndrimi te Trauma, Gjekmarkaj është dërguar te QSUT-ja ku do kalojë natën. Më herët nënkryetari i PD-së Boçi dhe anëtari i kryesisë Balliu akuzuan policinë se kishin dhunuar Gjekmarkajn në mënyrë barbare gjatë protestës.

Policia përgënjeshtroi akuzat e bëra nga kryedemokrati Berisha në një deklaratë për mediat duke thënë se Gjekmarkaj nuk ishte dhunuar por ishte ndjerë keq gjatë protestës dhe ishte larguar.

Pjesë nga biseda Berisha-Gjekmarkaj

Gjekmarkaj: E mbaj mend kur u rrëzova. E mbaj mend shumë mirë.

Berisha: A mund t’i identifikojmë emrat?

Gjekmarkaj: Edhe iu drejtova që jam nënkryetari i Parlamentit, jam profesor në universitete. Më përbuzën, më shtynë sikur të isha leckë. Më ushtruan presion në gjoks dhe mbeta pa frymë.