Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka pranuar për herë të parë se vendi i tij ishte përgjegjës për vrasjen e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh këtë verë.
Haniyeh, i cili ishte kryenegociatori i grupit të armatosur palestinez në bisedimet indirekte të armëpushimit me Izraelin, u vra nga një mjet shpërthyes gjatë vizitës së tij në Teheran në fund të korrikut, disa orë pasi mori pjesë në inaugurimin e presidentit iranian Masoud Pezeshkian.
Izraeli kishte marrë përgjegjësinë për vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar dhe kreut të lëvizjes libaneze Hezbollah, Hassan Nasrallah, që ndodhi muajt e fundit, por nuk e kishte konfirmuar përfshirjen e tij në vdekjen e Haniyeh.
Njoftimi i Katz erdhi pasi ai lëshoi një paralajmërim për rebelët Houthi të Jemenit, të cilët vazhdojnë sulmet e tyre kundër Izraelit, në një ngjarje përkujtimore për oficerët izraelitë të sigurisë të hënën.
“Këto ditë, kur organizata terroriste Houthi po gjuan raketa në drejtim të Izraelit, dua t’u përcjell një mesazh të qartë: Ne kemi mundur Hamasin, kemi mundur Hezbollahun, kemi verbuar sistemet e mbrojtjes në Iran dhe kemi dëmtuar raketat Ne kemi përmbysur regjimin e Asadit në Siri, i kemi dhënë goditje të rënda ‘boshtit të së keqes’ dhe gjithashtu do të godasim ashpër terrorin e organizatës Houthi, e cila mbetet e fundit në këmbë” , tha ministri, cituar nga Times of Israel.