Vendosni fjalën kyçe....

Rama në ceremoninë me nxënësit ekselentë: Ky është momenti i vetëm kur më duket vetja më i shkurtër se ata që kam përballë


Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit ekselentë, ku shprehu vlerësimin dhe respektin e tij për përpjekjet dhe sukseset e tyre. Rama i cilësoi ata si “heronj pozitivë të një kohe sfiduese”, duke nënvizuar sakrificat që ata kanë bërë për të arritur rezultate të shkëlqyera, shpesh përballë kushteve të vështira ekonomike dhe sociale.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se shumë prej nxënësve janë rritur në familje me vështirësi, ndoshta me një prind që punon i vetëm apo duke udhëtuar gjatë për të arritur në shkollë. Megjithatë, ata kanë zgjedhur të ndiqnin rrugën më të vështirë dhe për këtë arsye, Rama i cilësoi si heronj.

“Jam i bindur se ndër ju ka djem dhe vajza që janë rritur në familje me halle, që kanë një prind të vetëm në punë apo që ecin gjatë për të shkuar në shkollë. Pavarësisht këtyre vështirësive, ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë dhe për këtë arsye, ju jeni heronj për mua,” u shpreh Rama.

Ai e quajti këtë ceremoni si momentin më të veçantë të punës së tij, duke shtuar se si rrallëherë ndihej “më i shkurtër” përballë të rinjve ekselentë.

Në mesazhin e tij, Rama i inkurajoi nxënësit që të ndjekin ëndrrat e tyre pa hequr dorë përballë sfidave. “Një ëndërr që e sheh me sy hapur mund të arrihet, por mes teje dhe asaj ëndrre është një det me sfida që duhet ta kalosh në këmbë, pa u zmbrapsur nga dallgët apo nga lodhja,” tha ai.