Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Më 11 maj të pastrojmë politikën nga të korruptuarit


Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka ripërsëritur thirrjen e tij për miratimin e vetting-ut të politikanëve, duke e cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për pastrimin e politikës nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin.

Në një postim në Facebook, Basha theksoi se pavarësisht sulmeve dhe akuzave të rreme ndaj tij, përpjekjet për të realizuar këtë iniciativë nuk do të ndalen.

Basha akuzoi kundërshtarët politikë se po bllokojnë miratimin e këtij ligji në Kuvend për interesa të ngushta personale dhe se është duke u bërë propagandë për mbylljen e TikTok-ut.

Ai u shpreh se “lumi i baltës” që është hedhur ndaj tij dhe atyre që mbështesin një politikë më të pastër dhe më njerëzore, nuk do ta ndalë angazhimin e tij për një ndryshim të vërtetë.

‘Lumi i baltës që është hedhur ndër vite ndaj meje, e po ashtu mbi gjithë ata që qëndrojnë për një politikë me fytyrë njerëzore, larg zhurmës, linçimeve dhe akuzave të rreme, as më dekurajon dhe as më ndalon në përpjekjen time për të ofruar një model të ndryshëm nga ai që, fatkeqësisht, ka dominuar për 34 vite.

Dhe për t’i dhënë fund teatrit të akuzave për konsum politik, që ka helmuar debatin publik duke vrarë besimin e qytetarëve, ftesa ime është të votojmë dhe zbatojmë vetting-un e politikanëve.

Prej një viti kam depozituar në Kuvend projekt-ligjin për ta sjellë në jetë pastrimin e politikës, për ta ndarë njëherë e mirë shapin nga sheqeri, duke ju treguar me fakte shqiptarëve kush është i korruptuar dhe kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, kush ka abuzuar me besimin e shqiptarëve dhe kush jo.

Frika e atyre që bëjnë propagandë me TikTok-un, por janë kokë e këmbë në EncroChat, e mban të mbyllur në sirtarët e Kuvendit vetting-un e politikanëve.

Prandaj ftoj qytetarët që në 11 maj t’i japin mbështetjen e tyre me votë projektit tonë, që politika të mos mbetet një lojë e pistë në duart e të korruptuarve që i shërbejnë krimit, por një veprimtari që i shërben familjeve shqiptare dhe punon për mirëqenien e tyre’, tha ai.