Vendosni fjalën kyçe....

PD kallëzon në SPAK e Prokurorinë e Tiranës, Hoxhën, Prodën e Alushin


Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda, drejtorin e Policisë së TIranës Elton Alushi si dhe zyrtarëve të tjerë të policisë lidhur me protestën e mbrëmshme të opozitës.

Ata i akuzojnë zyrtarët për disa vepra penale ndërsa theksojnë se tubimi i njoftuar nga PD-ja ishte krejt i ligjshëm ndërsa pengimi i saj nga policia kriminal dhe i paligjshëm.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Kryetarit Gazment Bardhi ka kallzuar në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Drejtorisë Vendore Tirnaë, dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që dëshmojnë se tubimi i njoftuar nga Partia Demokratike ishte tërësisht i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal. Dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit. Bashkëlidhur do të gjeni kallëzimin e plotë të dorëzuar sot në dy Prokurori nga kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi.” – thuhet në kallëzimin e PD-së.